“Ju përgëzoj për punën tuaj. Jeni kompani të cilat kontribuojnë në buxhet në punësim, kontribuoni në mirëqenien sociale”.
Janë rreth 180 kompani që merren me qarkullimin e naftës dhe derivate të saj në Kosovë. Një pjesë e tyre kishin refuzuar t’i përgjigjen fiskalizimit, me arsyetimin se pajisjet janë të shtrenjta dhe se nuk po lejohen të licencohen kompani të tjera për shitjen e këtyre pajisjeve.
Gërxhaliu tha se nga sot ky problem do t’i takojë të kaluarës. Ai ju bëri thirrje naftëtarëve që të fiskalizohen dhe të jenë kontribuues në arkën e shtetit.
Fadil Berjani, kryetar i ShQNGL-së, u shpreh se naftëtarët asnjëherë nuk kanë qenë kundër fiskalizimit. “Por çmimet larta na kanë detyruar të mos i blejmë ato pajisje. Por, pas këtij liberalizimi të tregut do ta përfundojmë sa më parë rifiskalizimin”, u zotua Berjani.
Sipas tij, pas tri vitesh angazhim të shoqatës është arritur që të ulen çmimet e arkave fiskale nga 18 500 euro në 4 000 euro.
“Ne duhet të jemi shembull për të gjitha shoqatat dhe OJQ-të se si punohet dhe si shtyhet një proces përpara. Apelojmë që rifiskalizimi të përfundojë sa më parë”, tha Berjani, raporton Ekonomia Online.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tha se Qeveria, prej ditës së parë, ka qenë e interesuar që ta thyejë monopolin në çdo fushë. “Jemi duke u munduar të identifikojmë se cilët janë ata sektorë dhe ato fusha që ndihmojnë në punësim… duke i ulur taksat, që është një logjikë e re ekonomike”.
“Besoj që do t’i shihni rezultatet, sepse ne sivjet kemi arritur që t’i rrisim të hyrat në buxhetin e Kosovës për 13 për qind”, u shpreh Krasniqi.
Përfaqësues të kompanive naftëtare kanë kërkuar stimulime më të mëdha për bizneset nga ana e shtetit, përfshirë përmirësimin e klimës për të zhvilluar biznes.























