Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker, i cili edhe një herë ka kërkuar që sa më shpejt të formohet Qeveria e re e Kosovës.
Pas takimit, Thaçi e ka falënderuar ambasadorit Walker për gjithçka që po bën për Kosovën.
“Edhe një herë faleminderit shumë ambasadorit Walker për gjithçka që po bën për Kosovën. Nganjëherë është edhe kritik ndaj neve që jemi në politikë, por gjithmonë këto kritika kanë qenë të mirëseardhura për t’u përmirësuar edhe unë madje personalisht që edhe kur na ka kritikuar e kemi dashur, e kemi respektuar punën dhe angazhimin e Walker, sepse dëshiron që ta sheh Kosovën sa më shpejt përpara dhe të jetë e konsoliduar”, tha Thaçi.
Kurse, ambasadori Walker edhe një herë ka përsëritur se sa më shpejt duhet të formohen institucionet.
Ish-shefi i misionit të OSBE-së tha se është krenar për Kosovën e sotme.
“Unë jam shumë krenar me këtë vend, por edhe kritikoj nganjëherë për gjërat që kanë mundur të shkojnë më mirë. Por jam shumë krenar me Republikën e Kosovës që është sot”.
“Dje unë isha në Krushë dhe kam dëgjuar se çfarë ka ndodhur atje – ndoshta më keq se në Reçak. Unë e di se jam identifikuar me Reçakun, por dua t’i nderoj njerëzit e Krushës dhe të gjithë personat e prekur nga lufta në Kosovë”.
“Gjithashtu vij këtu për të mësuar rreth zhvillimeve politike. E di se jeni në prag të formimit të institucioneve. Kam folur me disa përfaqësues të partive politike dhe jam ende konfuz sikurse është i gjithë vendi”.
“Mendoj se Kosova ka nevojë për një Qeveri të re – keni humbur më shumë se 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar Qeverinë në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur”.
“Jepni këtij njeriu një pushim [Presidentit Thaçi] – ai tani është i thinjur”, tha ai.



















