Disa javë më parë, u publikuan disa pamje ku ministri i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, Matt Hancock, shkëmbente puthje pasionante me këshilltaren e tij, Gina Coladangelo. Pas këtij skandali që bëri bujë të madhe, në qershor ai vendosi që të jepte dorëheqjen.
E teksa po mundohet që të mos largohet plotësisht nga politika, Hancock duket se është “arratisur” në Cornwall, ku është fotografuar së fundmi nga paparaci.
Ish-ministri i Shëndetësisë ndodhet me pushime së bashku me tre fëmijët e tij, të cilët janë fryt i dashurisë me bashkëshorten 44-vjeçare, Martha. Hancock dukej se i kishte lënë pas problemet dhe po shijonte kohën me familjen e tij në plazh.
Madje “The Sun” shkruan se edhe Martha është aty pranë, duke ndarë kohë të veçantë me fëmijët. Edhe pse burri i saj u kap me një grua tjetër, ajo ende vijon të mbajë unazën e saj të martesës.

Nga ana tjetër, ish-ministri britanik i Shëndetësisë është fotografuar me një kapele të kuqe, këmishë, pantallona të shkurtra sportive e dukej i lumtur dhe i qetë. Një burim ka thënë se të gjithë pushuesit e tjerë që ishin aty, ishin mjaft paqësor me Hancock duke i thënë: “Faleminderit për vaksinën”.


























