Në nisje të prezantimit të draft-rezolutës për Shqipërinë në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, raportuesi Knut Fleckenstein, falenderoi posaçërisht për shembullin të rinjtë shqipëtarë të pranishëm- përfaqësuesë të rrjetit shoqëror EU Policy Hub Albania.
“Këtu ka të rinj të pranishëm që kanë studiuar jashte shtetit e janë kthyer më pas në vendin e tyre, në Shqipëri e kjo është për t’u përgëzuar dhe madje për t’u ndjekur edhe nga vende të tjera të rajonit, dhe shumë faleminderit që jeni këtu”, tha Fleckenstein.
Debatit i parapriu takimi i posaçëm i zëvendëspresidentit socialdemokrat në PE me grupin e vullnetarëve të këtij rrjeti, të cilët pasqyruan një pjesë të nismave mbi informimin e qytetarëve për procesin e anëtarësimit në BE dhe botimeve të publikuara prej tyre, pak muaj më parë në Shqipëri, si dhe ndanë vërejtjet, apo këshillat e tyre, për përfaqësuesit ndërkombëtar, në këtë kuadër.
“Ne patëm nja dy këshilla miqësore për të në lidhje me presionin ndërkombëtar që vjen për reformën në drejtësi dhe sipas nesh, ky presion mund të ishte më i hershëm, apo i parashikueshëm nga ana e tyre, në lidhje me unifikimin e vullnetit politik që duhet të egzistojë dhe duhet të shfaqet nga klasa jonë politike. Këtu duhet të konsistonte parashikueshmëria ndoshta e presionit ndërkombëtar dhe nga ana tjetër, edhe parashikueshmëria për kushtet që ata vendosin ndaj nesh në lidhje me hapjen e negociatave. Do shtohen kushte të reja? Si do procedojë? Këtë doja të dija nga z. Fleckenstein”, tha Arnisa Tepelija, anëtare e Eu policy Hub.
“Mendoj se është inkurajuese që shumë të rinj vijnë nga jashtë, ku ata kanë studiuar, dhe mendojnë për të ardhem e vendit të tyre, duke këshilluar njerëzit dhe politikanët në Shqipëri, por njësoj japin këshilla dhe ndaj nesh. Për mua, është interesante të shohësh së si mendojnë të rinjtë për Shqipërinë dhe e çmoj shumë bashkëpunimin me ta, sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Knut Fleckenstein./dritare.net