Në një deklaratë të fundit Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom ka bërë me dije se nurmi i rasteve të reja do të vijojë të rritet ndërsa deri javën e ardhshme numri i përgjithshëm i të sëmurëve do të shkojë në 10 milionë.
GJENEVË– Fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut shiheshin si muajt kur bota do rikthehej disi në normalitetet, duke lehtësuar edhe masat e izolimit. Por siç duket me shtimin e rasteve të reja parashikimet e muajit mars, kur asokohe Covid-19 shënoi edhe kulmin duket se nuk po rezultojnë të sakta.
Prej të paktën dy javësh shifrat e rasteve të reja në dhjetëra shtete të prekura nga virusi duket se po përballen sërish me një “luftë” të ashpër kundër Covid-19.
Ndërkohë së fundmi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom u shpreh se parashikon që numri i rasteve me COVID-19 në mbarë globin, i cili tani është mbi 9.5 milionë, mund të shkojë në 10 milionë javën e ardhshme.
Ndër të tjera kreu i OBSH deklaroi se shkalla e infektimeve të reja po ecën me hapa të shpejtë.
“Në muajt e parë të shfaqjes së virusit, u raportuan më pak se 10 mijë raste nga OBSH. Në muajin e fundit, janë raportuar rreth 4 milionë raste. Presim që kjo shifër të shkojë në 10 milionë brenda javës së ardhshme.”-tha Adhanom.
Shpërtheu në Kinë prej në fund të dhjetorit të 2019 e në mars të 2020 në mbarë botën, por Covid-19 vijon të jetë ende një kërcënim për botën. Deri më tani në gjithë globin janë infektuar 9,535,219 persona. Ndërkohë 485,187 të tjerë kanë humbur jetën. Lajm i mirë është se betejën me COVID-19 e kanë fituar 5,180,287 qytetarë.



















