“Kërcënimi afatgjatë që paraqet Kina për rendin global është më serioz, në krahasim me kërcënimin nga Rusia”, është shprehur Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.
Teksa mbajti një fjalim ditën e enjte, me synimin e mbledhjes së komunitetit ndërkombëtar për të kundërshtuar Kinën, Blinken tha se vendi aziatik “është i vetmi shtet që ka synimin, mjetet ekonomike, teknologjike, ushtarake dhe diplomatike për të çuar përpara një vizion të ndryshëm të rendit ndërkombëtar”.
SHBA e sheh Rusinë si një rrezik aktual dhe të menjëhershëm për rendin global. Kurse në aspektin afatgjatë, SHBA e konsideron Kinën si më të aftë se Rusia për të prishur sigurinë ndërkombëtare.
“Themelet e rendit ndërkombëtar janë në një rrezik serioz dhe të vazhdueshëm”, tha Antony Blinken.
Kryediplomati amerikan theksoi se koalicioni i krijuar për t’iu kundërvënë Rusisë në Ukrainë paraqet një model të shkathët për të përballuar sfidat e ardhshme nga Kina.
“Duke e penguar Putinin të arrijë qëllimet e tij, ne besojmë se po forcojmë shumë dorën tonë për të mbrojtur dhe mbështetur këtë rend kundër sfidave nga të tjerët”, tha Blinken. “Vendet e botës kanë shmangur një luftë tjetër botërore dhe një konflikt midis fuqive bërthamore.”



















