Papa Françesku shfrytëzoi 90 minutat e fluturimit të kthimit me avion drejt Romës, për të folur për përshtypjet e vizitës në vendin tonë.
Radio Vatikani në protalin online shkruan se Ati i Shenjtë u tha gazetarëve që e shoqëronin, se Shqipëria, përveçse është një vend me shumicë myslimane, nuk është një vend islamik.
Sipas tij, Shqipëria si periferi e kontinentit, është një vend europian, duke nënvijëzuar bashkëpunimin mes 3 besimeve më të mëdha fetare, Islamit, Ortodoksisë dhe Katolicizmit.
Ai ripërsëriti rëndësinë e kulturës së të jetuarit sëbashku, tolerancës dhe vllazërisë në vendin ballkanik.
Papa tha se ishte i impresionuar që prej fillimit me rininë e vendit.
Ati i Shenjtë u shpreh gjithashtu se kishte studiuar për 2 muaj historinë e persekutimit në vend, gjatë epokës komuniste, duke u përpjekur të kuptojë.
Papa Françesku pranoi se u përlot kur dëgjoi dëshminë e një prifti, që kishte qenë në burg për 27 vite.
Ati i Shenjtë tha se kishte mbetur i impresionuar nga përulësia e tij, pasi i kishte treguar historitë e të gjithë atyre që ishin persekutuar.
Gjatë kthimit me avion drejt Romës, Papa Françesku konfirmoi udhëtimin drejt Strasburgut, më 25 nëntor dhe drejt Turqisë më 30 Nëntor, ku do të takonte edhe Patriarkun e Kostandinopojës Bartolemeun.















