50 mijë euro është fondi që ka vënë në dispozicion bashkia e Tiranës, për altarin që do të vendoset në sheshin “Nënë Tereza”, aty ku do të mbajë meshën e shenjtë Papa Francesku të dielën e 21 shtatorit. Drejtuesit në bashkinë e Tiranës janë shprehur se ky financim ka ardhur si përgjigje e kërkesës që ka bërë kisha katolike, pasi ajo vetë e ka patur të pamundur këtë financim.
“Bashkia e Tiranës krahas gjithë punëve publike që po kryen në sheshin ku ndodhemi, që nga rehabilitimi i shatërvanit, i shkallëve përreth dikastereve të ndryshme, universitetit, Akademisë së Arteve, si dhe gjithë punëve publike të tjera për të cilat është angazhuar si financiarisht ashtu dhe me forcat e veta, ka marr përsipër të financojë dhe suportojë dhe atë çka është dhe pjesa më e rëndësishme gjatë vizitës së Papës këtu, altarin e Papës. Gjithë pjesën nga ku Papa do të drejtojë meshën e shenjtë. Me lejoni të precizoj që ky financim prej 50 mijë eurosh ka qenë kërkesë e kishës katolike, e cila i është drejtuar bashkisë së Tiranës me një kërkesë për financim në pamundësi për të përmbushur këtë detyrim të festimeve të kësaj dite. Bashkia e Tiranës ka aprovuar fondin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin dhe mbarëvajtjen e gjithë pjesës ceremoniale, pra, altarit”, tha Arben Skënderi, drejtor i kulturës në bashkinë e Tiranës.
Krahas ndërhyrjeve që po realizohen në sheshin “Nënë Tereza”, si punimet në fasadat e institucioneve të rëndësishme, heqja e shatërvanit, mbjellja e bimëve dekorative, Bashkia e Tiranës i ka akorduar Atit të Shenjtë dhe titullin “Qytetar Nderi”.















