Ish-kryediplomati grek, Theodoros Pangalos, në një intervistë dhënë së fundi, ka thënë se Greqia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
“Kosova ka 80% shqiptarë dhe 20% serbë! Është e natyrshme që nuk mund të qeverisin serbët!!! Do të qeverisin shqiptarët! Ky është vullneti i popullit dhe na pëlqen apo jo neve, nuk ka asnjë rëndësi. Nga ana tjetër shqiptarët e kanë zgjidhur këtë çështje dhe me anëtarësimin në NATO. Prandaj dhe ne duhet të bëjmë njohjen e Kosovës”, citohet të ketë thënë Pangalos.
Në intervistë, të cilën e transmeton portali konica.al, Pangalos flet edhe për raportet mes Greqisë e Shqipërisë.
Portali nuk saktëson se kur dhe kujt ia ka dhënë këtë intervistë Pangalos.
Intervista e plotë:
…Shkova në Shqipëri, me ndihmën e kryepeshkopit Anastas të Tiranës, dhe bëmë një shfaqje me muzikë greke dhe shqiptare. Pati sukses të madh. Atje takova njerëz të ndryshëm, takova për shembull dhe Presidentin, i cili më kishte ftuar. Takova dhe kryeministrin dhe folëm kokë më kokë për shumë kohë. U mundua të më mbushte mendjen për sinqeritetin e tij, për dashurinë e tij ndaj Greqisë dhe për nevojën që ai shihte për një afrim të mëtejshëm midis dy vendeve.
Kam përshtypjen se nuk kemi bërë atë që duhet të bënim për Shqipërinë! Nuk ekzistojnë pengesa me Shqipërinë, nuk është si çështja e Shkupit, të cilën ne nuk mund as ta përmendim. Mund të bisedojmë me shqiptarët dhe të përgatisim një paketë më gjërat që kërkon Rama dhe ta shohim këtë çështje të marrëdhënies me Shqipërinë. Nuk mendoj se populli grek? (ndoshta nënkupton shqiptar!) në këto çaste do të mbështeste çfarëdo plani, megjithëse të çmendur ekzistojnë sigurisht në çdo vend, diçka që të kishte të bënte më Shqipërinë e Madhe që përfshin Epirin dhe Thesalinë siç thonë disa. Natyrisht ka dhe njerëz të tillë por ata janë krejtësisht të veçuar. Pjesa më e madhe kërkon marrëdhënie të mira me Greqinë në të cilën shkojnë e vijnë. Mos harroni se në Greqi jetojnë pothuaj 800 mijë shqiptarë dhe në dy vitet e fundit janë kurorëzuar rreth 50 mijë martesa të përziera.
Unë kërkoj që ne të luajmë njëfarë roli, dhe këtë rol duhet ta luajë qeveria.
Duhet fillimisht të çlirohemi nga këndvështrimet e mitet e vjetra, siç është vëllazëria jonë me serbët. Serbët nuk janë as vëllezërit tanë as hiçgjë, janë njerëz të zakonshëm që kanë një shtet. Ky shtet herë bën gjëra të mira herë të gabuara. Kanë bërë dhe kanë projektuar gjakderdhje. Gjithnjë kanë dashur Kavallën, që ishte një pretekst për të justifikuar daljen e tyre në Mesdhe. Pra të mos kemi të ide të tilla. Mirë është të kemi marrëdhënie të mira dhe me serbët, dhe të luajmë dhe me Crvena Zvezdën tani që morëm dhe kampionatin, Olympiakos domethënë, por vetëm kaq!
Se përndryshe ç’kuptim ka të shmangesh nga njohja e Kosovës? Diçka për punën e njohjes së Kosovës: Kosova ka 80% shqiptarë dhe 20% serbë! Është e natyrshme që nuk mund të qeverisin serbët!!! Do të qeverisin shqiptarët! Ky është vullneti i popullit dhe na pëlqen apo jo neve, nuk ka asnjë rëndësi. Nga ana tjetër shqiptarët e kanë zgjidhur këtë çështje dhe me anëtarësimin në NATO. Prandaj dhe ne duhet të bëjmë njohjen e Kosovës, ashtu siç është dhe paralelisht të të merremi vesh me shqiptarët për të gjithë çështjet e tjera sepse kjo vërtet që është një teme madhore. Dhe në qoftë se ecim në këtë drejtim dhe sllavofolësit e Republikës së Shkupit do të kuptojnë që nuk është e drejtë të merren me punë emrash si Aleksandri i Madh apo Bucefail. Dhe në qoftë se i referohemi asaj historie, me shumë mundësi flasim për një kohë në të cilën nuk ekzistonin as grekë, as shqiptarë dhe aq më pak sllavë dhe gjithë ky muhabet është pa kuptim! Dhe nëse dikush mund të ketë pretendime për prejardhjen e Aleksandrit të Madh, këta janë shqiptarët sepse e ëma, Olimpia ishte ilire! Prej andej i njihte dhe ilaçet e helmet. Dhe kur Filipi bëri fëmijë me një vajzë të re dhe kërcënonte kësisoj trashëgiminë e Aleksandrit, Olimpia e hoqi qafe të shoqin.
Intervistuesi: Ajo që ne grekët shpeshherë nuk e mbajmë parasysh, është se sa të lidhur jemi me zhvillimet ballkanike, e kemi pak të shtrembëruar perspektivën.
Thedoros Pangalos: Po po absolutisht. Mendoj se është çështje kompleksi…themi për shembull “una faccia, una razza” për italianët me të cilët nuk kemi absolutisht asnjë lidhje, as prejardhje të përbashkët, as lidhje qytetërimi! “Una faccia, una razza” ne jemi me shqiptarët, me shkupjanet, me këta!
Intervistuesi: Se nuk na pëlqen kjo, se duam të jemi evropianë.
Theodoros Pangalos: Nuk na pëlqen por…dhe e kemi këtë lidhje dhe me turqit! Janë miliona vajzat greke që kanë humbur identitetin dhe fenë sepse turqit i rrëmbenin me dhunë. Dhe njëra nga sulltaneshat më të mëdha të Turqisë ishte nga Qefalonia, mendoj…






















