“Edhe pse nuk kam kohë të shpenzoj asnjë minutë për Mimozën. Nja dy fjali dua t’i them. Më përpara e lë politikën se sa shkoj të një subjekt qe e udhëheq një profitere siç është Mimoza Kusari- Lila dhe për këtë qe po them mund ta pyesni edhe Behgjet Pacollin”, ka thënë Lekaj.
Lekaj, i cili ka udhëhequr komunën e Gjakovës për tetë vjet është pesimist për suksesin e partisë se re. Ai thotë se Kusari- Lila nuk mund t’i ofrojë kurrfarë alternative qytetarëve pasi më herët ka pasur pozicione në qeveri.
“Mendoj se dita e mirë shihet në mëngjes. Nuk besoj se as pragun nuk do të kalojë. Ajo nuk do të ketë sukses. Çfarë alternative mund t’i ofrojë Mimoza, e cila ka pasur pozicione qeverisëse. Është e kotë tentativa e saj”, ka shtuar Lekaj.
Ai shprehet i bindur se subjekti i ri nuk do t’i marrë asnjë anëtar të AAK-së. Sipas tij, është vetëm një këshilltar komunal nga radhët e AAK-së, i cili është shprehur i pakënaqur me pozicionin e tij dhe ka vendosur të ndryshojë subjekt dhe Lekaj, shprehet i bindur se edhe ai shumë shpejt do të pendohet për këtë veprim.
E pyetur se a do të pranonte në partinë e saj edhe Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Mimoza Kusari- Lika ka thënë në një intervistë se së pari do të priste nga ai që të përgjigjej sinqerisht për disa gjëra që kanë ndodhur në komunën e Gjakovës gjatë qeverisjes së tij, dhe pas kësaj do ta mendonte anëtarësimin e tij.























