Punonjësit e Organizatave Jofitimprurëse sipas një studimi nga INSTAT, rezultojnë të jenë më të paguarit në Shqipëri, të pasuar nga bankierët e agjentët e sigurimeve financiare.
Ndërsa me pagën më të ulët janë punëtorët e transportit dhe magazinimit, të cilët paguhen mesatarisht 25 mijë lekë në muaj. INSTAT ka zbardhur strukturat e pagave në Shqipëri për vitin 2015, nga ku rezulton se më të paguarit janë punonjësit e OJF-vë.
Punonjësit e organizatave jofitimprurëse rezultojnë profesionistët më të paguar në Shqipëri, të pasuar nga bankierët e agjentët e sigurimeve. Instituti I Sigurimeve ka publikuar treguesit e Tregut të Punës për vitin 2015, nga ku rezulton se paga mesatare e punonjësve të OJF-ve është 128 mijë lekë në muaj. Punonjësit e bankave, institucioneve financiare e të sigurimeve paguhen mesatarisht 95 mijë lekë në muaj, shkruan shqiptarja.
Në vendin e tretë renditen specialistët e teknologjisë së informacionit, me 71 mijë lekë në muaj, që pasohen nga drejtuesit e industrisë nxjerrëse, me pagë mesatare prej 63 mijë lekësh në muaj.
Paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grupprofesionet në të cilat niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si: Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; Ndihmës në përgatitjen e ushqimit. Punëtorët e industrisë përpunuese paguhen 31 mijë lekë në muaj, ndërkohë që punëtorët në aktivitetet me ujë të ngrohtë, kanalizimeve, menaxhimit të mbeturinave dhe rregullimit fitojnë rreth 33 mijë lekë në muaj.
















