Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqendruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryejen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik.
Padia penale ndaj ish-presidentit u ngrit nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Alvin Bragg dhe u mbështet nga juria e madhe. Por akuzat do të bëhen publike vetëm kur zoti Trump të paraqitet para një gjykatësi, pasditen e së martës. Ekspertët besojnë se zoti Trump mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit. Pagesa prej 130 mijë dollarësh bërë ish-aktores se filmave pornografike Stormy Daniels, nga avokati i zotit Trump, Michael Cohen, iu rimbursua këtij të fundit nga Organizata Trump, e më pas u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.
Ish-Prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik. Ish presidenti është duke u hetuar edhe për raste të tjera.
“Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si Prokurori i Posaçëm Jack Smith, apo Prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, thotë zoti Rahmani.
Në një postim në internet zoti Trump, i cili kandidon sërish për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, e quajti aktpadinë një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Dy hetime të mëparshme rreth pagesës për ish aktoren e filmave pornografikë nuk përfunduan në ngritje akuzash. Prokurorët federalë që i filluan hetimet, ia përcollën çështjen ish-Prokurorit të Manhatanit, Cyrus Vance, i cili po ashtu nuk vendosi të ngrejë akuza. Por Prokurori aktual Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor të vitit 2021, i rihapi hetimet dhe mendon se ka prova të mjaftueshme për padi penale.
“Ky ishte një rast për të cilin Prokurori i Qarkut të Manhattan Alvin Bragg mendoi se kishte baza të forta ligjore ku mund të mbështeste akuzën e tij. Michael Cohen, u dënua për të njëjtën gjë nga prokurorët Federale. Njerëzit menduan në atë kohë se çfarë e bën Donald Trump-in të ndryshëm, pse ai duhet t’i shpëtojë ndjekjes penale në një kohë kur ka qenë i përfshirë në të njëjtën skemë?“, thotë zoti Rahmani.




















