Pas njoftimeve se është vendosur ndryshimi i projektit të linjës së transmetimit të energjisë nga Komani në Kosovës, ka reaguar edhe OST.
Me një njoftim për shtyp, Operatori i Sistemit të Transmetimit thotë se është në fazën e implementimit të projektit të ndërtimit të linjës 400 kV të interkoneksionit Shqipëri-Kosovë.
“Kjo linjë është shumë e rëndësishme për të rritur kapacitetet transmetuese të Shqipërisë në drejtim të tregut rajonal të energjisë elektrike.
Projekti i linjës 400 kV Shqipëri – Kosovë është një projekt madhor jo vetëm për Operatorin e Sistemit të Transmetimit por për të gjithë sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri.
Vendi jonë e ka të bazuar prodhimin e energjisë elektrike në burimet hidrike ndërsa Kosova e ka të bazuar prodhimin e energjisë elektrike në burimet termike.
Vënia në operim e kësaj linje do të krijojë mundësi për optimizimin e prodhimit të energjisë elektrike në të dy vendet dhe do të krijojë kushtet për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike.
Rritja e kapaciteteve transmetuese me linja interkoneksioni rrit sigurinë e punës të Sistemit Elektroenergjitik Shqiptar dhe krijon mundësi më të mëdha për të rritur shkëmbimet e energjisë elektrike me vendet e rajonit”, bën të ditur OST.
Për këtë projekt të rëndësishëm janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe është marrë miratimi për lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit në datën 03. 12. 2014.
Duke parë reagimin e misionit Shqiptaro – Francez dhe Institutit të Arkeologjisë për trasenë e linjës 400 kV në zonën e Komanit, OST sh.a ka marrë takim me përfaqësuesit e tyre dhe është informuar mbi shqetësimet lidhur me trasenë e linjës 400 kV Shqipëri – Kosovë dhe ka ngritur një grup pune për këtë cështje.
OST sqaron opinionin publik se ndryshe nga sa është dhënë në media, OST nuk ka bërë asnjë deklarim publik. Sqarojme se asgjë nuk është vendosur në lidhje me këtë devijim nga projekti i miratuar, pasi kjo nuk është një vendimarrje vetëm e OST sh.a por gjithashtu edhe Financuesve, Konsulencës dhe Qeverisë Shqiptare.
OST është duke studiuar disa variante të cilat janë në sfidë me kohën, në sfidë me terrenin të cilat do të shoqërohen me kosto financiare shtesë të projektit dhe me një zgjatje të afatit kohor në të cilin është planifikuar për tu vënë në operim kjo linjë.
OST thekson se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ndonjë organ kompetent për ndërprerjen e punimeve.
















