Protesta do të fillojë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej” për të vijuar me marshim drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para Kryeministrisë.
Një ditë më parë kreu i Parisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të rinjve që të dalin në këtë protestë dhe të marrin në dorë fatin e vendit.
“Nesër nis një marshim për lirinë për të zgjedhur, për t’u shprehur, për t’u punësuar, për lirinë nga krimi dhe tirania e varfërisë dhe padrejtësisë, që është shtruar sot në çdo cep të Shqipërisë. Koha ka ardhur që rinia të rimarrë edhe njëherë të ardhmen në dorë. Ne duam që rinia të ketë mundësi studimi. Le ta pagëzojmë 8 dhjetorin si ditën kur rinia nuk e iku por qëndroi, nuk uli kokën po u ngrit dhe fitoi”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
Policia njofton se “ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin e një marshim – proteste në datë 08 dhjetor 2015 nga ora 11.00 deri në orën 16.00, në sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Policia bën të ditur se do të ketë bllokime të trafikut dhe kufizim të pjesshëm të trafikut në rrugët: Bulevardi “Zogu i Zi”, rruga e “Kavajës”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Elbasanit”, bulevardi “Bajram Curri”.
Po ashtu Policia njofton se do ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve si më poshtë : nga sheshi “Skëndërbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 10:00 deri në orën 16:00.
















