Teki Koka
Në demokraci, ndryshe nga sistemi komunist, institucioni i vetëm i politikës, ku pozita dhe opozita të mandatuara përmes zgjedhjeve të lira dhe votës popullore për të realizuar misionin e tyre Kushtetues, është vetëm Parlamenti. Misionin e saj, opozita mund ta përmbushë vetëm atje dhe asnjëherë me protesta apo demonstrata në rrugë, sikundër kanë vepruar partitë politike shqiptare gjatë të gjithë tranzicionit.
Pas 25 vjetësh eksperiencë në demokraci, edhe politika shqiptare e tranzicionit duhet patjetër të kolaudojë qëndrimet dhe reagimet e saj në Parlament, përballë elektoratit, sidomos qëndrimet me protestat popullore. Asnjëherë politika nuk duhet të nxisë protesta dhe demonstrata popullore, dhe sidomos të manipulojë qytetarët me qëllim që të shmangë ballafaqimet për premtimet e pambajtura ndaj tyre.
Politika shqiptare e tranzicionit, me një taktikë jo pak të suksesshme dhe me synim shmangien e misionit të saj historik, qëllimisht e përjashton fare dialogun pozitë e opozitë dhe bashkëpunimin në Parlament. Për shkak të këtyre konflikteve të stisura, mbeten pa miratuar ligje me standarde europiane dhe që janë në interes të zhvillimit vendit e demokracisë. Në vend që të punojnë në Parlament, partitë politike, sidomos ato opozitare e kanë mendjen të sulmojnë mazhorancën, duke mos dhënë as kohë për debat konstruktiv në Parlament, apo duke mos dhënë alternativa programore. Edhe opozita sot e ka braktisur Parlamentin dhe ka dalë në shesh me militantët e saj të mashtruar, për të protestuar dhe synuar pushtetin, jo me mjete demokratike por me protesta që mund të kthehen edhe në të dhunshme. Politika duhet të “protestojë” direkt në Parlament apo në seancë plenare, aty ku pozita dhe opozita debatojnë për projektligjet e qeverisë. Parlamenti është vendi ku opozita shprehet për pakënaqësitë e saj dhe këtë e bën me votë si grupim politik. Po kështu, opozita mund të “protestojë” në komisionet parlamentare, aty ku debatohen dhe miratohen projektligjet e depozituara nga qeveria dhe ku secili grup ka të drejtë të prezantojë alternativat e veta.
Kështu pra, opozita duhet të “protestojë” me të drejtën e saj sipas rregullores së Parlamentit. Ajo ka të drejtë t’i kërkojë llogari, apo të kontrollojë veprimtarinë e qeverisë, por edhe të institucioneve kushtetuese, me debate dhe mocione mosbesimi në Parlament. Opozita, përmes kontakteve të vazhdueshme me qytetarët, të cilët përbëjnë edhe ADN-në e punës së saj, në çdo dy vjet mund të kontrollojë direkt në terren objektivat e saj dhe të qeverisë, nëse janë realizuar ose jo. Kjo bëhet përmes kërkimeve dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të fituar besimin e tyre për zgjedhjet e radhës. Po kështu, opozita mund të “protestojë” edhe te ndërkombëtarët, përmes takimeve të ndryshme që mund të organizojë me ambasadorë të ndryshëm të vendeve partnere të Shqipërisë, duke u prezantuar atyre, jo vetëm veprimtarinë e qeverisë, por edhe të sajën. Në këtë mënyrë, edhe qeveria ballafaqohet me mirë me objektivat e saj, duke marrë përvojën më të mirë. Nuk duhet të harrojmë, se opozita shansin më të mirë për të “protestuar” e ka përgjatë fushatave elektorale, sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Kjo është periudha e duhur për të bërë ballafaqime dhe raportime. Në vitet e kaluara, detyrën e opozitës e ka bërë PS-ja. Duhet thënë se opozita e PS-së ka qenë shumë konstruktive. Ajo asnjëherë nuk i ka manipuluar zgjedhësit e saj për t’i dërguar në protesta qorre. Nëse do të kujtomë vitin 2009, mund të themi se ishte qeveria e PD-së ajo që nuk i la shteg tjetër opozitës së atëhershme veç protestave.
Qeveria “Berisha” ishte arrogante dhe nuk e ftonte opozitën të merrte pjesë në reforma apo nisma ligjore të ndryshme, duke i kaluar ato e vetme me forcën e kartonit. Por kjo sjellje iu kthye në bumerang dhe në vitin 2011, PS-ja fitoi zgjedhjet parlamentare, të cilat janë deri tani, zgjedhjet më të lira dhe më demokratike që ka mbajtur ndonjëherë Shqipëria. Nga ana e saj, opozita e majtë, gjithmonë i ka inkurajuar protestat paqësore dhe nuk i ka keqpërdorur ato, apo edhe sindikatat e “pavarura”. Vazhdimisht i ka mbështetur kërkesat e punëtorëve apo shtresave të ndryshme sociale dhe këtë e ka dëshmuar edhe tani që është në qeveri.
Ndërsa regjimi i Berishës gjithmonë i ka shtypur protestat qytetare përmes dhunës së pushtetit, duke vrarë madje edhe qytetarë të pafajshëm. Ndërsa tani, PD-ja ka përcaktuar një axhendë të madhe protestash me pretendimin se mund të rikthehet në pushtet. Por që të vish në pushtet duhet të ofrosh një alternativë dhe të konkurrosh qeverinë dhe natyrisht që protesta nuk është alternativë. Sigurisht, kjo strategji e gabuar e PD-së do të qendrojë si kryesore edhe për shumë kohë, duke zhgënjyer elektoratin e saj.
















