Një sasi e madhe droge është sekuestruar gjatë një operacioni të përbashkët mes policive polake, spanjolle dhe italiane.
Mbi 3 ton hashash janë sekuestruar dhe arrestuar 13 vetë, pjesë e një organizate kriminale që operonte kryesisht në Spanjë. Sipas hetuesve, droga trafikohej nga Maroku në Spanjë dhe më pas shpërndahej drejt vendeve evropiane.
Rrjeti kriminal drejtohej nga një shtetas polak që u arrestua në banesën e tij në Marbella në Spanjë. I arrestuari konsiderohet një nga trafikantët më aktivë në shpërndarjen e hashashit në Evropë dhe ka qenë nën hetim në Spanjë, Poloni dhe Gjermani.
Ai ka qenë gjithashtu edhe udhëheqës i një grupi kriminal në Poloni në vitet ’90, që dyshohet të kenë qenë të përfshirë në vrasje, grabitje dhe rrëmbime.















