Ai ishte Mazzini i kombit të tij. Një Garibald, që për kohët e krizave që mund të vijnë, mund të shfaqet përsëri mes turmave të trazuara. Një Garibald, që për kohët e krizave që mund të vijnë, mund të shfaqet përsëri mes turmave të trazuara.
Norman Dagllas, një bestseller për De Radën
Norman Dagllas, lindi në Austri në vitin 1868 nga një nënë austriake dhe baba britanik. U shkollua në Angli, Gjermani dhe Francë. Hyri në shërbimin diplomatik britanik në vitin 1894 dhe pas dy vjetësh u largua prej aty për shkak të një skandali. Në vitin 1897 u vendos në Itali, në Napoli, ku edhe u martua me Elisabeta Theobodina, me të cilën pati dy fëmijë. Por, jeta bashkëshortore nuk vazhdoi gjatë. Në vitin 1903 u divorcua. Në vitet në vazhdim jetoi në Kapri të Italisë dhe pjesërisht në Francën jugore, ku edhe filloi të shkruajë intensivisht, duke iu dedikuar përfundimisht fushës së letrave. Vepra e tij e parë ishte “Vend i Sirenave”, botuar në vitin 1911. Botimi që pasoi më tej, më 1912, ishte “Shatërvani në verë” dhe më 1914 “Old Calabria”. Botime të tjera të autorit janë “Era e Jugut”, “Kujtimet e një librashitësi”, “Kujtimet e doktoreshës Mur”, “Ata ikën”, “Vetëm”, “Së bashku”, “Një ditë” dhe vazhdon kështu lista e gjatë e shkrimeve të tij gjer në vitin e vdekjes së tij, 1952. Ishte një talent rebel, i dhënë pas pijeve dhe në mënyrë të përsëritur rënë në skandale. Gjinitë që Dagllasi lëvroi ishin romani, novela, tregime etj. Por, ato që lanë më shumë gjurmë në krijimtarinë e tij ishin “shënimet e udhëtimeve”, të cilat kanë një trajtë krejt unike dhe të papërsëritshme. S’ka as më të voglin dyshim se në këtë gjini, njëra prej tyre, “Kalabria e vjetër”, konsiderohet si “kulmi apo apogjeu i krijimtarisë së Dagllasit të periudhës së parë”. Ai e filloi shkrimin e saj më 1911 dhe e vazhdoi gjer më 1913, por duket se materiali i këtyre viteve nuk i përmbushi kënaqësitë dhe pretendimet e autorit, prandaj ai vazhdoi ta punojë materialin edhe në vitin 1914, kohë në të cilën ai i dha asaj penën përfundimtare dhe e çoi për botim. Dalja në qarkullim e veprës u prit me interes mjaft të madh dhe shumë shpejt libri u bë një “best seller”. Nga ajo kohë, “Kalabria e vjetër” është ribotuar mbi njëzet herë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Vepra ka një interes, do të thoshim të jashtëzakonshëm për vendin tonë, historinë e Rilindjes Shqiptare, për botën e arbëreshëve dhe veçmas për rilindasin tonë të madh, Jeronim de Radën. Ndoshta, “Old Calabria” është nga të rrallat vepra të letërsisë artistike të shkruara nga një figurë e madhe e botës së letrave, që u përhap aq shumë dhe bëri të njohur nëpër Europë këtë figurë, ëndrrat dhe misionin e tij dhe të shqiptarëve për pavarësi dhe prosperitet. Përmes këtij botimi, “best seller”, i cili vazhdon të kërkohet dhe ribotohet ende në ditët tona (ribotimi i fundit në anglisht më 2012), figura e De Radës, sikundër parashikoi saktësisht Dagllasi, “është kthyer në një profet të çështjes shqiptare, pasi të gjitha parashikimet e këtij fisniku të varfër shqiptar në mënyrë të mahnitshme u realizuan”. Përkthimi i mëposhtëm i takon Kapitullit 21 të këtij libri. Veç këtij, “Old Calabria” ka edhe dy kapituj të tjerë dedikuar arbëreshëve të Kalabrisë, të titulluar “Albanians and their College” dhe Silla”.
(“Old Calabria”) Një “seer” shqiptar
Një ditë u gjenda në rrugën që të shpie në fshatin Makia, rreth tri kilometra larg nga San Demetrio. Megjithëse i rrënuar, ai ishte ende mjaft piktoresk. Peizazhi me shtëpitë e vendosura në atë copë toke, ndërpritej nga një kishë e vogël, e Shën Elias-it, perëndia e hershme e Diellit, Helios, admirues i kreshtave dhe shkëmbinjve, që në formën e tij të krishterë kolonistët e vrazhdë shqiptarë e sollën këtu nga atdheu i tyre, ashtu sikundër disa shekuj më herët ky shenjtor kishte shoqëruar bizantinët në të njëjtin udhëtim dhe pesëmbëdhjetë shekuj akoma më përpara kishte shoqëruar në udhëtimet e tyre grekët. Jeronim de Rada, një patriot i zjarrtë, tek i cili aspiratat e mëdha për Shqipërinë zunë rrënjë dhe morën dimensionin dhe formën moderne, lindi më 1814, në Makia, në një familje të vjetër dhe relativisht të pasur. Ideali që e ndoqi këtë njëri gjatë gjithë jetës ishte rilindja e vendit të tij dhe në qoftë se vëmendja e kongreseve ndërkombëtare, linguistëve dhe folkloristëve është kthyer tanimë në këtë cep të vogël toke (Makia), kjo gjë është tërësisht merita e tij. Dua të kujtoj këtu që në vitin 1902, njëzet e një gazeta nëpër Europë i ishin dedikuar Shqipërisë (18 vetëm në Itali, madje edhe një në Londër).
***
Unë kam lexuar disa nga veprat e tij në gjuhën italiane. Ato janë vepra interesante profetike dhe ashtu si pëshpëritjet e njohura të lisave dodoniane të atdheut të tij; ato të bëjnë për vete me misticizmin e tyre të ashpër-burrëror. Ai shpalos një madhështi Blek-jane, me fjalime të rrëmbyera dhe të ndërthurura, me mirësinë e tij, me shkreptimat e ndezura të frymëzimit, që ndriçojnë moralin e tij të shkuar. Ai mbante të ngjizura këto vizione por në një aspekt tjetër ai ishte një adhurues pasionant dhe i vendosur i Ewig-weibliche. Disa nga personazhet femra në poezitë e tij ruajnë freskinë e vesës së mëngjesit, origjinalitetin e tyre të hollë edhe pas ndërhyrjes jo shumë fine të përkthyesit. Në moshën 19-vjeçare ai shkroi një poezi për “Odisenë”, e cila u botua nën pseudonim. Mandej, tri vite më vonë, ai u shfaq me një botim të ri, një koleksion rapsodish, këngësh popullore, të titulluar “Milosao”, të cilat ai i mblodhi prej buzëve të vashave shqiptare, në fshatrat e tyre. Kjo është puna e tij më e njohur dhe është përkthyer në gjuhën italiane në më shumë se një herë. Pas kthimit të tij në Makia, atë e shoqëruan vite me mungesë të dukshme krijimi, por pa kaluar gjatë dhe veçmas përgjatë 20 viteve të fundit të jetës, veprimtaria e tij letrare u bë mjaft intensive. Ai iu përkushtua studimeve dhe botimeve në fushën e gazetarisë, folklorit, poezisë, historisë, gramatikës, filologjisë, etnologjisë, estetikës, politikës, moralit – duke dëshmuar se asgjë nuk shkruhej pa vend nën penën e talentit të tij. Dhe vërtet ai ishte i frytshëm, pohojnë admiruesit të tij, madje edhe në gabimet e tij. Por, ndryshe nga njerëzit e tjerë të përkushtuar pas një ideje të vetme, ai me guxim provoi edhe në fusha të tjera të mendimit ku specialistë frikësoheshin t’i trajtonin. Biografët e tij numërojnë 43 vepra të ndryshme të dala nga pena e tij. Të gjitha ato pulsojnë nota patriotizmi; ato janë “fragmente të një zemre”, dhe vërtet, prej tij ishte pohuar se ai përdor edhe shkencën ekzakte të gramatikës si një fushëbetejë për të sfiduar armiqtë e Shqipërisë. Por, ndoshta ai punoi më me sukses si gazetar. Periodiku i tij “Fiamuri Arbërit” (apo “Flamuri i Shqipërisë”) u bë simbol grumbullimi i të gjithë bashkëkombësve të vet nga çdo cep i rruzullit. Këto shkrime të natyrave të ndryshme – të cilat kishin pa dyshim risi edhe për temën e tij kryesore – tërhoqën vëmendjen e filologëve dhe linguistëve gjermanë dhe të të gjithë adhuruesve të lirisë, folklorit, dhe poezisë. Shkrimtarët më të mëdhenj italianë si Cantu e vlerësoi dhe ngriti atë shumë lart; ndërsa Lamartini, më 1844, i shkroi atij: “Ndjehem i lumtur nga marrëdhëniet miqësore e politike mes nesh. Poezia ka ardhur nga brigjet e tua e atje duhet të kthehet. Hermann Buchholts zbuloi kapërcime skenike me vlerë, si ato të Shekspirit dhe fragmente të madhështisë eskiliane, në tragjedinë e tij “Sofonisba”. Carneti e krahason atë me Dante-n, edhe euriditi Gladstone i shkroi më 1880 një kartolinë – që sikundër mund të merret me mend, lëvdonte përpjekjet e tij të sinqerta në emër të vendit të tij. Ai u bë me të drejtë objekt i shumë shkrimeve, artikujve dhe pamfleteve. Gjatë gjithë jetës, Shqipëria kishte qenë për të një mit. Ishte ai që zbuloi hyjnoret marrëdhënie ndërmjet gjuhës shqipe dhe asaj pellazge; që krijoi gjuhën letrare të vendit të tij dhe formuloi ambiciet dhe synimet e saj politike. Ndërkohë, e mjegulluara “Autobiologji” përmbledh brenda saj intrigat e ndërlikuara të politikës në Napoli, subjekte këto që nuk janë të lidhura me fokusin e punëve të tij kryesore; ndërsa “Testamenti politik” një libërth i vogël, botuar në fund të jetës së tij është më interesant. Ai parashtron gjithashtu teza të preferuara dhe disi befasuese, përmes së cilës ai pretendon se shqiptarët nuk duhet të shohin për ndihmë apo mëshirë, aq më pak për të shpëtuar, vetëm te vëllezërit e tyre, turqit. Ndërkohë, nga shumë shqiptarë në të dyja anët e Adriatikut, ai u shpall turkofil, ndërsa nga grekët akuzohej dhe anatemohej me termat “hajdut dinak” dhe “arrogant i pabesë”. Prej Austrisë, ai është shpallur “armik i kamufluar i lirisë së vendit të tij”, por, megjithatë, ky njeri sfidant duket se i ka menduar fare mirë të gjitha. Një vit para vdekjes së tij, ai shkroi për një përkthyes italian të “Milosaos” (unë do të lë fragmentin origjinal, për të treguar gjuhën e tij të ngrysur): “Ed un tempo propozio la accompagna: la recostruzione dell’Epiro nei suoi quattro vilayet autonomi quale e nei propri consigli e nei propri desideri; riconstrucione che pel suo Giorale, quello dell’ottimo A. Lorecchio – cui precede il principe Nazionale Kastriota, Chini – si annuncia fatale, e quasi fulcro della stabilita dello impero Ottomano, a della pace europea; preludio di quella diffusione del regno di Dio sulla terra, che sara la Pace tra gli Uomini”. Vërtet një fjalim i mrekullueshëm, që ilustron saktësisht disavantazhet e jetesës të distancuar nga qendrat e mëdha urbane të mendimit. Nëse ai do të kishte udhëtuar më pak me shpirtin e tij dhe më shumë me trupin, refleksionet e tij mund të ishin modifikuar dhe korrigjuar, pasi ai nuk i vizitoi kolonitë shqiptare në pjesën tjetër të Italisë apo në Sicili. Kështu pati lindur dhe ishte ngjizur vetëbesimi i madh i tij për misionin që pati ndërmarrë një besim për idealin e tij i kultivuar në vetminë, intelektualizmin dhe terrenin gjeografik ku ai jetonte. Prandaj ajo dëshirë e zjarrtë, jashtëtokësore dhe gati hyjnore që gëlonte brenda tij ishte mesa duket shprehje e aspiratave tij të jetës. Ai qëndronte në shtëpinë e tij, sa i varfër aq edhe i zellshëm, i mbështjellë prej një ekzaltimi njerëzor, i hutuar dhe mahnitur pas kapërcimeve dhe arritjeve bashkëkohore të mendjes humane.
***
I mbështjellë nën pikëllimin e tij të rëndë, çapitej në vitet e fundit të jetës nën ëndrrat e tij të heshtura. Ndërkohë fatkeqësitë e patën goditur atë njëra pas tjetrës. Miqtë e tij u pakësuan dhe larguan nga kjo jetë; vëllezërit e tij po ashtu, më pas gruaja e tij e dashur dhe mandej katër djemtë – mbijetoi edhe pasi të dashurit e patën lënë; i vetmi që qëndroi në fund pas të gjithëve, një krijesë e goditur rëndë, mbetur mes një izolimi tragjik dhe fisnik. Mbi 80 vjeç, i drobitur, tërhiqte këmbët zvarrë tri herë në javë për të dhënë leksione në San Demetrio; ai ende rrëmihte një copë të vogël are me krahët e tij të dobët e pafuqi; shkruante dhe vargëzonte poema dhe rapsodi për relaksim, megjithëse në moshën e thyer të tetëdhjetë e tetë viteve! Banorët e atyshëm do t’u tregojnë pemët nën të cilat ai kishte zakon të ndalonte për të pushuar, peizazhet tërë diell që ai i adhuronte, gurët mbi të cilat ai ulej; ata do të ju tregojnë rrëfenja dhe ngjarje të trishtuara të varfërisë së tij – të rënies në mjerim të thellë sa mezi mbahej me të marrët hua. Gjatë muajve të fundit ai ishte shpesh mirënjohës me një copë bukë, në këmbim të një thesi me lende lisi, të mbledhur nga vetë ai, për të ushqyer derrat e blerësit. Skamja gjer në pikën e fundme të mjerimit, pati ardhur si pasojë e besnikërisë së tij të patundur ndaj idealit që ai kishte, gjë që tanimë nuk manifestohet as në formën e saj të ndyrë, por që nga ana tjetër ajo ekzalton të vuajturin. Mundi i tërë jetës së tij është pikërisht atje! Megjithatë, gjer tani nuk është shpallur ende ndonjë “Çështje shqiptare” që të trondisë kancelaritë europiane. Sidoqoftë, ai i vuri zjarrin eshkës dhe si një prestigjiator zgjoi dhe solli në vëmendjen e botës këtë fantazmë, e cila ende nuk është shtruar për zgjidhje. Ai vdiq në vitin 1903, në San Demetrio; dhe aty qëndron i varrosur mes lisave, mbi kodër. Por, ju nuk do ta kini të lehtë të gjeni varrin e tij. Biografi i tij pasionant, një poet i talentuar, ka skicuar idenë e një monumenti të denjë për të, që në shenjë mirënjohjeje dhe për kujtimin e tij e vendos në lartësitë e majave të Akrokerauneve. Por, do të ishte po aq e denjë nëse gjithashtu – disa shkëmbinj të thjeshtë përkujtimorë do të vendoseshin në vendin ku ai qëndron i varrosur. Nëse ai do të kishte dhënë shpirt në Makia-n e tij të lindjes, kjo gjë do të ishte bërë, por, vdekja e mori atë në një famulli tjetër, të San Demetrios dhe eshtrat e tij të mjera u varrosën me ato të qytetarëve të saj më të varfër. Një ilustrim i mikrokozmosit të atij shpirti të kulluar të Shqipërisë, për të cilën ai kishte sakrifikuar një jetë të tërë, përpjekje që e patën shpënë atë drejt një fundi të ndritur e fisnik! Ai ishte Mazzini i kombit të tij. Një Garibald, që për kohët e krizave që mund të vijnë, mund të shfaqet përsëri mes turmave të trazuara. Një Garibald, që për kohët e krizave që mund të vijnë, mund të shfaqet përsëri mes turmave të trazuara. Ku është Cavouri?
















