Në një njoftim për media, Ujësjellësi ka njoftuar se nga ky ligj përfitojnë konsumatorët e komunave: Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Shtimje, Lipjan , Graçanicë, Drenas dhe Obiliq.
“Nga falja e borxheve për ujësjellës dhe kanalizim për periudhën kohore deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë të gjithë konsumatorët e tetë komunave, ata të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të këtij institucioni, me kusht që borxhet nga data 1 janar 2009 e deri më 31 dhjetor 2014 të paguhen (bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike)”, thuhet në njoftim.
“Ju që do të përfitoni nga falja e borxheve të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit (amvisëri e biznese) për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, nëse lidhni marrëveshje me KUR”Prishtina”sh.a. për riprogramim borxhi dhe nuk i përmbaheni në përpikëri kësaj marrëveshje, atëherë ne obligohemi që t’ju vendosim sërish në listën e borxheve, duke iu bërë obligues për të gjitha borxhet deri më 31 dhjetor 2008, çdoherë duke u bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike”, vazhdon njoftimi.






















