Rubrika: Fjalimet që ndryshuan historinë
Clarence Darrow, ishte një ndër avokatët më të famshëm të viteve ’20 në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse kërkohej nga korporatat e mëdha si avokat që i premtonin shumë marramendëse, ai e përdorte famën e tij për të mbrojtur njerëzit e varfër. Kështu një ndër gjyqet e tij më të famshme ishte edhe gjyqi në mbrojtje të fizikanit me ngjyrë Ossian Sweet. Ky i fundit kishte blerë një shtëpi në një lagje të bardhësh në Detroit. Por një turmë njerëzish të bardhë nën ndikimin e Ku Klux Klan sulmuan me armën shtëpinë e familjes Sëeet. Kur këta të fundit kthyen zjarr për vetëmbrojtje, një fqinj i bardhë i vra. Menjëherë, 11 pjesëtarë të familjes u akuzuan për vrasje. Por avokati i famshëm e bazoi gjyqin në atë që sot është e zakonshme: Nëse një person ka të drejtë të vetëmbrohet, edhe afrikano-amerikanët e kanë këtë të drejtë. Dhe pjesëtarët e familjes Sweet u shpallën të pafajshëm. Më poshtë fjalimi i mbylljes në mbrojtje të Henry Sweet, prill, 1926
***
Clarence Darrow
Nuk do të jemi të civilizuar derisa të urrejmë tjetrin nga ngjyra
Fjalimi i mbylljes në mbrojtje të Henry Sweet, prill, 1926
Zotërinj, edhe një fjalë më shumë dhe do t’i jap fund kësaj çështjeje. Unë nuk jetoj në Detroit. Por nuk kam asnjë gjë kundër qytetit. Në fakt, gjithmonë do të më kujtohet për mirë, veçanërisht nëse kjo çështje përfundon ashtu siç shpresoj se do të përfundojë.
Unë jam i fundit ai që vi këtu dhe trazoj urrejtjen e racizmit apo çfarë do lloj tjetër urrejtjeje. Unë nuk besoj tek ligji i urrejtjes. Jo gjithmonë mund të kem qenë i drejtë me idealet e mia, por besoj në ligjin e dashurisë, dhe besoj se nuk mund të bëni asgjë me urrejtje. Do të më pëlqente të jetoja në një kohë kur njeriu ndjen dashuri për njeriun, dhe e harron ngjyrën apo besimin e tjetrit. Nuk do të jemi të civilizuar derisa të vijë kjo kohë.
E di se raca e negrove ka një rrugë të gjatë për të bërë. Besoj se jeta e racës së negrove ka qenë një jetë me tragjedi, padrejtësi dhe shtypje. Ligji e ka bërë të barabartë, por njeriu jo. Dhe, tek e fundit, analiza e fundit është, çfarë ka bërë njeriu dhe jo çfarë ka bërë ligji? E di se ka një rrugë të gjatë përpara, para se të zërë vendin që unë besoj se duhet të zërë. E di se përpara e pret vuajtja, trishtimi, fatkeqësia, vdekja mes të zinjve, ndoshta dhe të bardhëve. Më vjen keq. Do të bëja të pamundurën për ta evituar këtë. Do të këshilloja durim; do të këshilloja tolerancë; do të këshilloja mirëkuptim; do të këshilloja të gjitha ato gjëra që janë të nevojshme për njerëzit që jetojnë së bashku.
Zotërinj, cila mendoni se është detyra juaj në këtë rast? I kam parë, ditë pas dite këta të zinj, fytyra të tensionuara duke përshkruar këtë gjykatë. Këto fytyra të zeza po shohin dymbëdhjetë të zinjtë, duke ndjerë se shpresat dhe frika e një race janë në dorën tuaj.
Kjo çështje do të përfundojë zotërinj. Për ta, kjo është jeta. Në këtë juri nuk është ulur askush me ngjyrën e tyre. Fati i tyre është në dorën e të dymbëdhjetave. Sytë e tyre janë të përqendruar tek ju, zemrat e tyre janë në drejtimin tuaj, dhe shpesa e tyre varet nga vendimi juaj.
Kaq kisha. Po ju kërkoj juve, në emër të këtij të padituri, në emër të këtyre nevojtarëve që po ju kërkojnë ndihmë, në emër të këtij shteti të madh, dhe këtij qyteti të madh, i cili duhet të përballet me këtë problem, dhe të përballet me drejtësi, po ju kërkoj juve, në emër të progresit të racës njerëzore, të riktheni vendimin dhe ta shpallni të pafajshëm!























