Presidenti Joe Biden tha të hënën se shkak i vonesave të evakuimit të afganëve që punuan për ushtrinë amerikane në Afganistan ishte përgjithësisht refuzimi i tyre për të lënë vendin më herët. Por, nga një verifikim i fakteve nga CNN, deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë nuk rezulton plotësisht e vërtetë.
CNN thotë mund të ketë disa afganë që kanë marrë vizat, por nuk kanë dashur që të largohen nga vendi i tyre më herët, por janë më mijëra të tjerë që kanë kërkuar një vizë, por nuk e kanë marrë atë më herët për shkak të faktorëve të tjerë, përfshirë ata financiarë, fluturimet e kufizuara dhe burokracitë e procesit.
“Administrata Biden po injoron në veçanti vonesat në procesimin e aplikimeve për viza speciale të emigrantit për këtë program, që me sigurisë mund ta kishte përfunduar shumë më herët”, thotë CNN.
Media amerikane ka kontaktuar edhe ekspertët për të verifikuar vërtetësinë e deklaratave të Presidentit. Edhe ata nuk mendojnë se ato janë të sakta.
Beça Heller, Drejtore Ekzekutive e “International Refugee Assistance Project”, që përfaqëson emigrantët që aplikojnë për vizat speciale të refugjatit tha se administrata Biden po fajëson aleatët e SHBA për dështimin e vet.
“Arsyeja se përse shumë afganë që janë të ligjshëm për vizën e emigrantit special nuk ishin këtu kur ra qeveria afgane për shkak të vonesave masive në procesimin e aplikimeve”, tha për CNN, Faiza Sayed, drejtor i “Safe Harbor Clinic”.
Adam Bates nga Policy Counsel theksoi se “pjesa më e madhe e afganëve në rrezik për jetën dhe nevojë për evakuim nuk kanë viza dhe as nuk u është dhënë ndonjëherë mundësia për t’u larguar në SHBA. Sipas tij, kjo përfshin grupe etnike dhe fetare, punonjës të OJQ-ve dhe medias, avokatë të të drejtave të njeriut dhe të tjerë.
Programi i vizave speciale të emigrimit, që u krijua për të tërhequr afganët që punuan për SHBA në Afganistan po përballet me pengesa të shumta burokratike, ku për disa persona mund të kërkojë muaj, madje edhe vite që të përfundojë.
SHBA thotë se është në dijeni të këtyre vonesave dhe ka adresuar një pjesë të tyre, përfshirë shtimin e stafit në Departamentin e Shtetit për përpunimin e tyre dhe punën jashtë orareve zyrtare.



















