Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk i kanë shpëtuar përgjimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA). Shqipëria dhe Kosova ndodhen në listën e shteteve që janë përgjuar nga shërbimet amerikane. Është gazeta amerikane “Washington Post” e cila ka publikuar dokumentet e klasifikuara, të cilat dyshohet të jenë marrë nga kontraktori i NSA, Edward Snowden, i cili tashmë ka fituar azil politik në Rusi.
Pjesë e përgjimeve të Agjencia Kombëtare e Sigurisë janë bërë edhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, grupi i Bankës Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Bashkimi Europian etj.
Publikimi i skandalit të përgjimeve të NSA, shkaktoi një tension të fortë në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Gjermanisë, pasi u mësua se agjensia amerikane kishte përgjuar prej disa vitesh telefonin e kancelares gjermane Angela Merkel.
















