Nga Ndriçim Kulla
Shumë të huaj mund të pyesin me habi se përse shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, duhet të vendoset edhe në kryeqytetin e Kosovës së pavarur. Në pamje të parë duket e çuditshme dhe ndoshta e pakuptueshme, një gjest i llojit të patriotizmit sentimental, pjesë e një lloj mjegullnaje shugërimesh ku përzihen miti me historinë. Ismail Qemali është nga ata njerëz që mund të kishte ose mund të mos kishte monumente në Shqipëri apo në Kosovë, kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Se për të vlen ajo që ka thënë dikur poeti i madh romak Horaci “Exegi monumentum aere perennius.” (Kam ngritur një monument më të qëndrueshëm se bronzi.) Ismail Qemali është një figurë historike e tillë që mund të quhet një njeri monumental, i cili ka bërë një vepër monumentale. Dhe kjo gjë vlen jo vetëm për Shqipërinë e sotme, por edhe për Kosovën, për të gjitha trojet shqiptare.
Këtë ndjeshmëri për të vendosur monumentin e Ismail Qemalit në Prishtinë nuk e kishte vetëm vlonjati Bujar Leskaj, i njohur për veprimtari të tilla, apo Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili iu përgjigj rrufe propozimit tonë, nuk e kishte Mehmet Prishtina, një biznesmen i lidhur me vlerat kulturore kombëtare, që kishte kohë që ma përsëriste këtë ide, unë, apo ndonjë intelektual tjetër si Bardhosh Gace nga Vlora, por kjo ishte shprehje e vullnetit të gjithë kombit shqiptar.
Respektimi i etërve tanë themelues për disa rreth nesh ende vazhdon të duket tepër e frikshme, kur në të vërtetë është një vlerë mjaft emancipuese.
Por si gjithmonë mes shqiptarësh pati diçka serioze, që nuk shkoi edhe në këtë rast. Mendoj se një e metë e shpirtit shqiptar e trashëguar brez pas brezi nga e kaluara u shpreh në mënyrë të dukshme edhe në promovimin e monumentit të vlonjatit monumental në kryeqytetin e Kosovës. Edhe Jahjaga, Presidentja e Kosovës, edhe Mustafa, Kryeministri i Kosovës, edhe Thaçi, Zëvendëskryeministri i Kosovës, nuk ishin para monumentit simbolik. Mos nuk ishin ftuar?! Mos vallë të gjithë kishin axhendë jashtë Kosove?! Mos kishte ndonjë arsye tjetër?! Çfarëdo arsye të kishte, ata duhej të ishin aty, si qytetarë dhe si institucione. Edi Rama sidoqoftë e gjeti rrugën dhe erdhi, por jam i bindur se Ibrahim Rugova po të ishte gjallë do ishte aty, para Ismail Qemalit.
Atë që bëri Ismail Qemali më 1912-n nuk e bëri vetëm për shqiptarët e territoreve brenda kufijve të vendosur në Konferencën e Londrës pak kohë më vonë pasi ai shpalli pavarësinë kombëtare, por e bëri për shqiptarët e të gjitha trojeve. Në Kuvendin kombëtar të Vlorës, që kryesoi Ismail Qemali, kishte përfaqësues edhe nga Kosova e sotme, madje nga ajo vinte luftëtari kryesor për pavarësinë kombëtare, Isa Boletini. Deklaratën e Pavarësisë Kombëtare që lexoi Ismail Qemali, e miratuan dhe e nënshkruan edhe përfaqësuesit e Kosovës. Ismail Qemali u bë kryetar i një qeverie kombëtare, e cila u votua edhe nga përfaqësuesit e Kosovës, dhe ku do të bënin pjesë si ministra edhe shqiptarë të Kosovës. Ismail Qemali është pjesë e historisë së Kosovës, po aq sa e historisë së Shqipërisë. Ndarjen e Kosovës me Qeverinë e Ismail Qemalit, me shtetin e themeluar prej tij, nuk e miratuan shqiptarët e Kosovës, por fuqitë e mëdha, me një vendim për caktimin e kufijve, të cilin asnjë përfaqësues i tyre nuk guxoi ta quajë të drejtë dhe ta mbrojë moralisht.
Ismail Qemali, duke shkuar së bashku me Isa Boletinin në Londër ku mbahej konferenca e Fuqive të Mëdha që do të vendoste për fatin e trojeve shqiptare, nisi atë sensibilizim të faktorit ndërkombëtar, që do të ishte një proces i gjatë që do të kulmohej me Konferencën e Rambujesë më 1999-n, si e kundërta e Konferencës së Londrës të viteve 1912-1913. Ajo që nisi me vajtjen e Ismail Qemalit në Londër më 1913-n, ku ai ngriti zërin në emër të shqiptarëve për fatin e Kosovës, i dha frytet shumë kohë më vonë në Rambuje, më 1999, ku Europa, nën shtytjen e SHBA-së, që vepronte sipas precedentit të Presidentit Uilson, pranoi gabimin historik të bërë ndaj shqiptarëve në Londër rreth nëntë dekada më parë, duke marrë vendime që çuan në bombardimin e Serbisë së Millosheviçit dhe çlirimin e Kosovës. Qëndrimi i Perëndimit në Rambuje është një jehonë e largët, një përgjigje ndaj ankesave të Ismail Qemalit në Londër më 1913-n, i cili iu drejtohej Fuqive të Mëdha, i armatosur vetëm me të drejtën e kombit të tij. Por ai hodhi farën nga e cila do të mbinin frytet e dëshiruara.
Nelson Mandela ka thënë: “Ka momente kur një lider duhet të dalë para turmës, të ecë në një drejtim të ri, i bindur se po u prin njerëzve të tij në drejtimin e duhur ”.
Ismail Qemali më 1912-n e bëri këtë gjë për të gjithë shqiptarët, duke përfshirë edhe ata të Kosovës. Për këtë arsye, shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë ta kenë Ismail Qemalin si simbol të historisë së tyre. Pas Skënderbeut, shtatorja e të cilit tanimë gjendet në Prishtinë, Ismail Qemali e meritonte më shumë se cilido shqiptar tjetër nga ana tjetër e kufirit, që të ishte në kryeqytetin e Kosovës së pavarur. Ky nuk është vetëm një nderim që Kosova i bën Ismail Qemalit, është para së gjithash një nderim që shqiptarët e Kosovës i bëjnë vetvetes. Se duke nderuar Ismail Qemalin, shqiptarët e Kosovës i tregojnë botës se përpjekjet e tyre shtetformuese në shekullin XX nuk nisën as më 1999, as më 1991, as më 1974, por që më 1912.
Bashkëthemeluesi i një shteti të madh, SHBA, George Uashington, ka thënë: “Vështirë se ka ndonjë nga veprimet e mia që këtej e tutje nuk do të kthehen në precedent”.
Ismail Qemali mund të kishte thënë të njëjtën gjë se veprimet e tij u bënë precedent edhe kur nisi të ndërtohet shteti i Kosovës. Dashur pa dashur, shqiptarët e Kosovës, në fund të shekullit XX zbatuan modelin e dualitetit në lidershipin e tyre, që kultivoi me urtësi Ismail Qemali në fillim të shekullit. Në fillim të shekullit XX, në lidershipin e lëvizjes kombëtare shqiptare u profilizua dyshja Ismail Qemali-Isa Boletini. Ismail Qemali ishte prijësi politik që përdorte gjuhë diplomatike me kancelaritë e Fuqive të Mëdha, dhe që dinte të shfaqej edhe si lider pacifist kur ishte e nevojshme që të qetësohej Europa, e cila i trembej ndryshimit të status-quosë në Ballkan që mund të vinte si pasojë e kryengritjeve shqiptare. Isa Boletini ishte prijësi luftarak, prijësi i kryengritjeve të armatosura. Sigurisht që kishte edhe të tjerë burra të lëvizjes kombëtare që i kishin këto cilësi, por këta të dy qenë emblematikë, dhe ishin më të njohur botërisht.
Shumë kohë pasi dyshja Ismail Qemali-Isa Boletini shkoi në një konferencë me rëndësi të madhe për fatin e kombit shqiptar, në Konferencën e Londrës, do të shkonte në një tjetër konferencë të rëndësishme për fatin e Kosovës, një tjetër dyshe e ngjashme, ajo Ibrahim Rugova-Hashim Thaçi. Nuk është rastësi që në një moment vendimtar për fatin e Kosovës, në Konferencën e Rambujesë më 1999, lidershipi i Kosovës u rikthye te modeli që funksiononte, ai Ismail Qemali-Isa Boletini. Atëherë kur kërkohej konsensusi i delegacionit shqiptar në Rambuje për të firmosur marrëveshjen që do të bënte të mundur bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, funksionoi dyshja Ibrahim Rugova-Hashim Thaçi, sipas modelit të dyshes Ismail Qemali-Isa Boletini. Fatkeqësisht, vetëm për një kohë të shkurtër. Me këtë nuk dua të them se Rugova ishte Ismail Qemali i Kosovës dhe Hashim Thaçi ishte Isa Boletini i Kosovës. Ismail Qemali dinte të merrte vendime për luftë dhe për paqe kur ishte e nevojshme. Isa Boletini e mirëkuptonte se e dinte që bashkëpunëtori dhe miku i tij dinte më shumë se ai për mozaikun e politikës ndërkombëtare nga i cili varej fati i viseve shqiptare. Të dy, si Rugova, ashtu dhe Thaçi, kishin shumë se çfarë të mësonin nga Ismail Qemali dhe Isa Boletini, dhe për fat të keq, pati raste kur nuk u treguan të aftë ta bëjnë këtë.
Duke rikujtuar thënien e George Uashingtonit të cituar më lart mund të themi se nuk ka asnjë fushë të veprimit të politikanëve dhe burrave të shtetit shqiptar sot, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj., ku të mos gjendet një precedent i dobishëm në veprimtarinë e Ismail Qemalit, si politikan dhe si burrë shteti. Komisioni ndërkombëtar i kontrollit i Fuqive të Mëdha që mori në dorëzim financat e Qeverisë së Vlorës, në raportin e tij zyrtar na tregon se edhe në ato rrethana të vështira, financat e shtetit të ri qenë mbajtur në rregull, jo vetëm pa asnjë deficit, por madje kishte arritur që të sigurohej edhe një suficit.
Ne kemi nisur të bëjmë monumente për Ismail Qemalin, por akoma nuk e kemi evidentuar të gjithë veprën e tij monumentale. Gjithë-gjithë kemi të botuara një libër me dokumente për të, kujtimet e tij të cunguara, dhe një biografi të tij të botuar me nxitim. Fjalimet e tij për çështjen shqiptare, që nga parlamenti osman e më tutje, nuk janë botuar ende. Nga letërkëmbimi i tij janë botuar vetëm disa grimca. Është e domosdoshme që të botohet korpusi i veprave të themeluesit të shtetit, në disa vëllime. Për këtë qëllim duhen bërë kërkime nga studiuesit, që të evidentohet vepra e plotë e tij, por duhet edhe ndihmë nga shteti për t’i botuar ato kërkime.
















