Artur ZHEJI
Kush ka menduar se Edi apo Piktori, është një kafshatë lehtësisht e kapërdishme politike, besoj edhe kësaj radhe, mbas triumfit të tij gjeopolitik në Beograd, e ka rastin të pendohet. Për të mirë apo për të keq të shqiptarëve, këtë koha do ta tregojë, statura e kryeministrit vijon të ngrihet. Sidomos ndërkombëtarisht. Ai diti të përballojë presionin, ndonëse nuk fshihte dot emocionet dhe realizoi, ashtu si e pohojnë objektivisht shumica e komentatorëve, një akt me domethënie kombëtare që do të komentohet gjatë.
Naiviteti dhe teatraliteti i Aleksandrit, homologut serb, djersitja dhe bllokimi mendor që pësoi gjatë konferencës për shtyp me shqiptarin, të Gjatin, Piktorin apo Kryeministrin, i dha një jehonë të madhe këtij të fundit. Sepse serbi, Vuçiçi pra, i gjatë edhe ai, rrëfeu ca shenja impresionimi, që dëshmojnë se është ende i ri dhe pa përvojën e duhur për atë detyrë që ka. Sepse me pak sportivitet më shumë, me një sens ironie dhe humori të zi dhe të gatuar aty për aty, ai edhe mund të shmangte ndjesinë e skandalit, apo në këtë rast, “golin” që pësoi. Përsëritja si në jerm e termit “Provokacion, provokacion!” ishte në fakt një kurorëzim i mirëfilltë dhe i papritur në sytë dhe veshët e miliona shqiptarëve, në kryet e të Gjatit, Kryeministër i Shqipërisë.
Pra në këtë pikë, Vuçiç u shfaq me apo dashje, një “mik” i mirë dhe shumë i vlefshëm elektoralisht, në krah të Ramës. Shqiptari bëri kështu në Beograd “golin” që kombëtarja jonë e futbollit nuk u lejua të bënte. Dështimi i normalizimit të marrëdhënieve u bë sidoqoftë mëse i qartë për çdokënd, pavarësisht vizitës së shumë përfolur.
Pas kësaj vijon pyetja: Atëherë, përse shërbeu kjo vizitë?
Sigurisht që nuk dha asnjë fryt për arsyet e shpallura paraprakisht, porse arriti, duke tejkaluar çdo parashikim, së paku tre-katër qëllime të dorës së parë.
Rama demonstroi publikisht brishtësinë e rrezikshme të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Dhe kjo, për shkak të mospajtimit historik që ata, serbët, kanë me ngjarjet më të fundit, e pra në lidhje me Pavarësinë e Kosovës. Duke shënuar kështu një avantazh të dukshëm dhe të prekshëm gjeopolitik ndërkombëtar në ndihmë të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës njëkohësisht. Duke i bërë kështu publikisht të qartë Brukselit se sa e vështirë është të negociosh me serbët dhe se sa i lartë është muri që duhet kapërcyer ndërmjet dy vendeve tona. Në Beograd u dëshmua gjithashtu se, pavarësisht se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë dy vende të ndara dhe të pavarura, de facto, politika e jashtme e të dyja vendeve është një politikë e jashtme e përbashkët.
Së dyti, Kryeministri shqiptar, përmes vizitës së tij dhe “incidentit” që ndodhi, kreu një akt të bashkimit në Frymë të faktorëve shqiptarë, duke sendërtuar një kthjelltësi të admirueshme në komunikim dhe përmbajtje. Mungesa e flamurit shqiptar në aeroport, mosdhënia e dorës mbas konferencës për shtyp nga ana e serbit, i gjatë edhe ay, pezmi i tij publik dhe gati fëminor, dëshmuan se shqiptari, pra shqiptarët, kur dinë dhe kur ia thonë asaj pune, munden të fitojnë pikë të vlefshme në “lojën diplomatike”. Pa u viktimizuar. Sepse, edhe pse nuk e dimë dhe aq mirë, ne shqiptarët jemi në një trend pozitiv ndërkombëtar, pavarësisht marrëzirave tona të brendshme, marrëzira sa më s’ka.
Së treti, Rama, brenda 48 orësh, u ndërkombëtarizua si të thuash 48 herë! Dhe kjo, për karrierën e tij politike do të thotë shumë. Boshllëqet e tija të shumta, në njohuritë gjeopolitike që viheshin re vite më parë, tani janë të mbushura me material të cilësishëm. Fatmirësisht pro interesave të qenësishme kombëtare, të menaxhuara me moderacion, pa spazma emocionale dhe me vetësiguri. Mbas kësaj vizite dhe sidomos mbas pasojave të saj entuziaste, ndoshta më entuziaste se sa duhet, shënohet kësisoj një rritje eksponenciale e popullaritetit të Ramës. Ky po që është një telash i madh për Opozitën dhe për të përpjetën e saj drejt pushtetit.
Në ndërkohë, ky lloj popullariteti dhe me ngjyra të ekzaltuara prodhon jo pak shqetësim tek ata, ku përfshihem edhe unë, që nuk i kanë pasion të veçantë, liderët me kaq popullaritet, që i shndërron ata në liderë të dorës së fortë. Tipar i cili, popullariteti me të tepërt pra, frymëzon herët apo vonë, tipare arbitrare në lidershipin që e gëzon atë.
Ndoshta Rama do të dijë ta mbajë në fre kalin hamshor të pushtetit, që rend në psikën e çdo lideri drejt “horizonteve pa kufi”. Dhe këtu mund të fillojë problemi. Apo rreziku i një autoritarizmi.
Por deri atëherë, kjo e Beogradit ishte padyshim një fitore gjeopolitike. E merituar.
















