“PDK po mundohet që ta përdorë krejt forcën e saj për të fituar Drenasin. Çdo ditë me vetura zyrtare ata shkojnë në Drenas për qëllime partiake”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.
Postimi i plotë i Bajram Hasanit:
MASHT po investon në shkolla në kohë fushate
PDK po mundohet që ta përdorë krejt forcën e saj për të fituar Drenasin. Çdo ditë me vetura zyrtare ata shkojnë në Drenas për qëllime partiake.
Madje, ata kanë filluar t’i përdorin edhe paratë e shtetit për t’i arritur qëllimet e tyre. E lexova një lajm që sot Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri Arsim Bajrami e të tjerë po marrkan pjesë në fillimin e punëve për ndërtimin e sallës së Kulturës Fizike në një shkollë në Drenas. Besoj se gjithsecilit prej nesh i lind dyshimi pse pikërisht po bëhet në kohë pak para mbajtjes së zgjedhjeve në këtë komunë. Logjikisht do të duhej që ajo sallë të ndërtohej më heret dhe të ishte e gatshme para disa muajve dhe në shtatorin që lamë pas nxënësit ta kishin sallën gati.
E keni gabim nëse mendoni se mund ta merrni votën e tyre në këtë mënyrë. Ata nuk mashtrohen aq kollaj. Mos i shfrytëzoni ministritë që udhëhiqen nga PDK-ja për qëllime të partisë. Ato janë para të qytetarëve të Kosovës.
Drenasin do ta fitojë ai që punon me nder për këtë vend, që i njeh hallet e qytetarëve dhe nuk kujtohet për ta vetëm në kohë zgjedhjesh.






















