Gjatë një takimi në presidencë ku merrnin pjesë studiues e akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Diaspora si dhe nga trevat shqiptare e vende të ndryshme të botës, Nishani vlerësoi punën e tyre, veçanërisht për edukimin e brezit të ri.
Ai e konsideroi këtë si një investim të madh për ruajtjen dhe pasurimin e fondit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar duke u kërkuar që ta promovojmë më tej këtë kontribut të vyer.
“Bota e letrave shqipe është ajo pjesë e qenësishme e atyre fijeve të fuqishme që mbajnë të lidhur e të bashkuar kombin tonë, kulturën tonë, që ushqejnë fuqimisht dhe vazhdimisht konstelacionin shpirtëror të popullit shqiptar”, theksoi Kreu i Shtetit.4
Nishani tha se “shpirti dhe identiteti i kombit shqiptar është formuar dhe ka mbijetuar në shtjellën mijëvjeçare. Në gjithë këtë shtjellë besoj se nuk do gaboja po të pohoj se procesi ynë i demokratizimit dhe integrimit në familjen evropiane është njëkohësisht një proces i rizgjimit dhe konsolidimit të identitetit tonë kombëtar si një popull evropian, dhe kjo pa diskutim është edhe meritë e juaj”.
“Dëshiroj që ju ta vazhdoni rrugëtimin e gjatë me më tepër prodhimtari, më me dinamizëm, me artikulim në përballjen e sfidave, për të ndihmuar sa më shumë që të jetë e mundur qytetarët shqiptarë, shoqërinë tonë, kulturën dhe maturimin e mbarë kombit shqiptar. Beteja mes optimizmit dhe pesimizmit ka nevojë për frymëzim, dhe ju siguroj se ju do të keni keni në krah gjithë shoqërinë e emancipuar, të etur për të pasuruar dijet, në mënyrë që vlerat tuaja t’i ndani me të gjithë shoqërinë shqiptare!” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.






















