Presidenti Bujar Nishani ia paraqiti pikëpamjet e Shqipërisë, Astrit Torsit, Komisionere e OSBE-së për Pakicat Kombëtare
Gjendja e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës dhe pjesë të tjera të Serbisë si dhe në shtetin maqedonas ishin tema themelore e bisedimeve të presidentit Bujar Nishani me Komisioneren e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Astrid Tors (Thors).
Takimi u njoftua në mbrëmje të ishte zhvilluar në presidencë ndërmjet zotit Nishani dhe Komisioneres Tors.
Presidenca njoftoi se biseda u përqendrua në situatën në shtetin fqinj maqedonas dhe raportet ndëretnike dhe shkallën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe siç e përmend “Serbinë e Jugut” mbi gjendjen e të drejtat e shqiptarëve atje.
Sipas njoftimit presidencial, duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Serbisë së Jugut, zoti Nishani “vuri në dukje se ndjekja dhe vënia në zbatim e planit 7 pikësh nga qeveria në Serbinë e Jugut është prioritare, e domosdoshme për t’u shoqëruar me një vëmendje shumë më të madhe investimesh dhe zhvillimi ekonomik për këtë zonë”.
Presidenti po ashtu u citua të ketë veçuar rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të diplomave mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Për zotin Nishani njohja e diplomave është “një hap që do të nxiste punësimin e të rinjve nga Serbia e Jugut të arsimuar në Shqipëri dhe jo braktisjen dhe shpopullimin e zonës”.
Presidenti thekson gjithashtu se shqiptarët kanë rëndësi të madhe shtetformuese në vendin fqinj maqedonas:
“Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është e vetmja alternativë e bashkëjetesës harmonike në Maqedoni, duke evidentuar rëndësinë e madhe shtet-formuese që luan faktori shqiptar atje”
Sipas të njejtit njoftim, presidenti vlerësoi punën e bërë nga Komisionerja Tors për programin e arsimit të integruar.
Ky program, në vlerësimin e zotit Nishani përbën “element të domosdoshëm për integrimin e plotë dhe respektimin e ndërsjellë të komuniteteve etnike por edhe atyre të besimeve të ndryshme fetare, etj.”.
Zonja Tors shoqërohej nga Kryetari i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, ambasadori austriak i lindur në Zvicër, Florian Raunig.















