Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vlerësuar vizitën e Papa Françeskut, duke e quajtur atë një mik të shtrenjtë për Shqipërinë.
“Është privilegj. Kjo është një ngjarje e madhe historike për kombin, për vendin, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët njëzëri u thonë, “Mirëserdhët në Shqipëri”. Faleminderit nga zemra që na zgjodhët ne të parët për udhëtimin tuaj në Evropë. Tek çdo bashkëkombës unë identifikoj veç mirënjohje për Ju. Si të tillë kemi mbërritur tek pavarësia jonë, deri sot në vitin e 102 të shtetit shqiptar, jemi krenar për këtë. Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi. Harmoni të garantuar nga kushtetuta e shtetit tonë laik”, është shprehur Nishani pas takimit me Papën.
Presidenti Nishani ka vijuar më tej duke përmendur priftërinjtë katolikë dhe pushkatimin e tyre. “Ne përjetuam për gati 50 vite një diktaturë të egër ku komunizmi tentoi të ndryshojë antropologjinë humane, të krijojë njeriun e ri pa Zot, pa liri, pa objekte kulti. Fjalët e fundit të shumë prej priftërinjve katolikë para skuadrave të pushkatimit, ishin rroftë Shqipëria, rroftë Papa! Në emër të binomit atdhe e fe, ishin me dhjetëra klerikë që dhanë jetën e tyre. Ky eksperiment falë qëndresës së shqiptarëve, dështoi. Ishte një sfidë që shqiptarët e përballuan të gjithë së bashku, si bij të të njëjtit Zot. Myslimanë e të krishterë u ngritën nga hiri në kërkim të lirisë. Selia e Shenjtë i ka ofruar ndihmë gjithmonë kombit tim. Heroi ynë kombëtar, simboli i lirisë kundër robërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte aleati i zgjedhur i Vatikanit. Pohoj me bindje se ligjëratat Tuaja janë një doktrinë e mirëfilltë për paqen në botë. Janë një reflektim i madh shpirtëror. Shqipëria sheh tek ju një mik të shtrenjtë të cilit sot i ka hapur derën dhe zemrën sipas zakonit të shqiptarëve. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”, ka thënë më tej Nishani.














