Presidenti, Bujar Nishani la të kuptohej se është kundër zgjedhjes së një Guvernatori të huaj në Bankën e Shqipërisë, me besimin se vendi ynë ka njerëz të kualifikuar për këtë pozicion. Ai nxori si argument se Shqipëria është 102 vjet e pavarur. Sa i përket shkarkimit të Fullani, Presidenti u shpreh se do të respektojë vendimin e Kuvendit.
“Nuk kam pasur asnjë informacion që Fullani do të arrestohej. Unë jam informuar si gjithë opinioni publik, përmes mediave. E kam parë përmes mediave lajmin e arrestimit të Guvernatorit”, tha Nishani.
“Një detyrim ligjor për t’u njoftuar për arrestime të kësaj natyre nuk ka, por në raste të tilla, kur bëhet fjalë për institucione të tilla që kanë ndikime të drejtpërdrejta të sigurisë së vendit, qartësisë, mendoj që duhej të kishte një informacion për vendimmarrjen përfundimtare”, shtoi Presidenti.















