Hetimet paraprake, referuar policisë, flasin për nxitje të krimit nga një zënkë e çastit. Thuajse 20 vjet më parë Koligjinët zbritën nga Kukësi për të jetuar pranë Tiranës, por gjendja ekonomike e Feritit sipas të nipit Blerimit, ishte e vështirë
Një i afërm i tri viktimave brenda së njejtës familjeje pranë Tiranës, vëren se autori i krimit ka pasur probleme depresive.
I afërmi është nipi i 60-vjeçarit Ferit Kolgjinit, i cili të dielën në Grecë të Pezë-Helmësit në Pezë vrau vëllanë, bashkëshorten dhe në fund veten.
Kolgjini sipas të nipit ka pasur gjendje depresive prej sëpaku një jave, ndërsa të dielën vrau bashkëshorten Sulltane 50-vjeçare dhe vëllanë Dan (Ramadan) 67-vjeçar.
Thuajse 20 vjet më parë Koligjinët zbritën nga Kukësi për të jetuar pranë Tiranës, por gjendja ekonomike e Feritit sipas të nipit Blerimit, ishte e vështirë.
E përditshmja “Gazeta Shqiptare” shkruan se babi i katër fëmijëve Ferit Kolgjini kishte burim të vetëm jetese bujqësinë.
Të afërm të autorit të krimit i thanë “Gazetës Shqiptare” se janë përballë një befase dhe dhimbjeje të madhe, sepse të afërmit e tij nuk kanë qenë njerëz problematikë.
“Vetëm Zoti lart dhe ata të tre e dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë! Na duket e pabesueshme, sepse nuk kanë qenë njerëz problematikë”-thonë të afërm të viktimave.
Hetimet paraprake, referuar policisë, flasin për nxitje të krimit nga një zënkë e çastit apo debat i kotë.
Dyshime ka gjithashtu që vëllezërit Kolgjini të jenë zënë për çështje pronësie të tokave.
Ndërkaq, janë duke u pritur rezultatet e analizave për të mësuar nëse qëndron mundësia që Ferit Kolgjini të ketë qenë i dehur.
“Gazeta Shqiptare” më pas publikoi një intervistë të shkurtër me nipin e Kolgjinëve, Blerim Kolgjini:
-Blerim, çfarë ka ndodhur në banesën e xhaxhait tënd?
-Në shtëpi s’ka qenë asnjë njeri tjetër, përveç xhaxhallarëve dhe nuses së xhaxhait, i cili ka bërë vrasjen. Djali i xhaxhait ka qenë tek toka duke punuar, ai i ka gjetur i pari trupat e pajetë. Xhaxhai, Feriti, ka qenë në ballkon bashkë me vëllain, Danin dhe duket se aty janë zënë me njëri-tjetrin. Pas kësaj, xhaxhai ka marrë çiften dhe ka qëlluar Danin. Ka dalë nusja që ka qenë brenda në shtëpi dhe e trembur ka bërtitur me të madhe. Siç duket, xhaxhait i ka ikur mendja pas kësaj dhe ka qëlluar edhe gruan e tij në ballkon. Më pas është futur brenda dhe ka vrarë edhe veten.
-Pse mendoni se janë zënë dy xhaxhallarët tuaj?
-Nuk e di, këtë e dinë vetëm ata të dy. Dani jetonte në Tiranë, por vinte shpesh në fshat se kishte tokat këtu dhe sot (dje) në mëngjes kishte ardhur nga Tirana. Por xhaxhai tjetër, Feriti nuk ka qenë mirë javën e fundit, ka pasur disa probleme depresive.
-Çfarë shenjash ka pasur xhaxhai juaj kohët e fundit?
-Xhaxhai ka pasur luhatje të humorit, herë ishte mire, herë jo. Ka pasur edhe probleme ekonomike, sepse merrte vetëm një rrogë prej 17 mijë lekësh tek Ndërmarrja e Rrugëve dhe me ato duhej të ushqeheshin katër persona, se dy fëmijë i ka pasur të martuar. Gruan e ka pasur të sëmurë me zemër, por nusja e tij ka pasur për të bërë edhe një operacion në këmbë dhe lekë nuk kishin. Të gjitha këto probleme mesa duket kanë ndikuar tek xhaxhai, ai e di se si e ka pasur hallin në të vërtetë.
-Kanë pasur më parë konflikte në familje dy xhaxhallarët apo xhaxhai me nusen?
-Jo, nuk kanë pasur. Ata shkonin mirë me njëri-tjetrin. Nusja e xhaxhait nuk kishte se si të kishte konflikte, sepse ajo ka qenë e sëmurë.
















