Kompanitë, të cilat kanë marrë kredi për të zhvilluar biznesin e tyre, mund të mos arrijnë të shlyejnë borxhin, si pasojë e pezullimit të shumë aktiviteteve ekonomike në Kosovë. Deri te pezullimi ka ardhur për shkak të vonesës së krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Përfaqësues të bizneseve kanë alarmuar tanimë se shumë biznese, për shkak të mungesës së aktivitetit ekonomik, nuk janë në gjendje të mirë afariste.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se me rënien e aktiviteteve afariste të bizneseve kosovare, do të ketë rënie të qarkullimit të mjeteve.
Ai thotë se shumë biznese, me të cilat Oda Ekonomike Amerikane është në kontakt të përditshëm, kanë konfirmuar se kanë pezulluar aktivitetet e tyre investuese.
















