Nga Daut Dauti
Ka ndërruar jetë Nexhmije Pagarusha, artistja dhe mretëresha e muzikës së llojit të vet. Nexhmija ka qenë i vetmi njeri me të cilën kam dashur që një ditë të rri gjatë e të bisedoj në formë formale, si njeri, por më shumë që ta intervistoja si gazetar. Por, pa asnjë arsye, kurrë nuk e kam bërë këtë. E kam takuar shkurt disa herë, vetëm sa për t’u përshëndetur.
Një herë, ka qenë viti 2000, kur me Adem Demaçin, pas një ceremonie, po dilja nga salla e mbledhjeve të Rilindjes. Në korridor Adem Demaçi dhe Nexhmije Pagarusha u ndalën për ta përshëndetur njëri tjetrin me përqafime. Kurrë nuk kisha parë përshëndetje më të zjarrtë dhe respekt të ndërsjellë të dy njerëzve – dy legjendave. Baca e Adem e përqafonte duke e quajtur herë mbretëreshë e herë bilbil. Ajo ia kthente ‘jo, jo, ti je mbreti’. Këtë ndodhi e kam shikuar anash por me kurrreshtje të madhe të një njeriu të parëndësishëm, çfarë kam qenë para këtyre dy shtyllave të shoqërisë sonë.
Nexhmija Pagarusha ka qenë simboli i zhvillmit të muzikës dhe kulturës shqipe. Kur ka filluar ajo të këndoj në radio ‘live’ (kështu këndohej atëherë), pothuaj menjëherë pas luftës, nuk ka qenë e popullarizuar në masat e gjëra. Kjo ka qenë për shkak se në jetën tradicionale shqiptare të Kosovës ka mbizotëruar muzika folklorike. Një pjesë e konsiderueshme e gjeneratave të vjetra të asaj kohe kur e dëgjonin zërin e saj nuk kanë qenë në gjendja ta pranonin zhanrin e saj të muzikës së kultivuar e artistike. Prandaj, i referoheshin:‘qe, ia nisi kjo lorëza’.
Por, radio dhe më vonë gramafoni, kasetofoni e sidomos televizioni, do ta ndryshonin situatën dhe Nexhmije Pagarusha do të vëhej në qendër apo në ballë të këtij ndryshimi.
Nexhmija ka qëndruar prore në qendrën e muzikës dhe si shumë e rëndësishme edhe në zhvillimet që e kanë përcjellur Kosovën nëpër fazat e ndryshimeve të rënda por të rëndësishme politike. Duke e mbajtur një pozitë të tillë, është folur shumë për të.
Ne asnjë herë nuk e kemi shfrytëzuar rastin që të bisedojmë (intervistojmë) gjatë me të dhe me përgjigjet e saj ta pasurojmë edhe historinë tonë të kohës së re. Megjithatë, Nexhmije Pagarusha nga kjo botë largohet si mbretëreshë dhe bilbil.
















