Prishtina do të presë nesër kabinetin qeveritar të Shqipërisë në një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës, që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare, në orën 11:00. Kjo është e treta mbledhje e dy qeverive shqiptare. Mbledhja e parë është zhvilluar në Prizren më 11 janar 2014, ndërsa mbledhja e dytë u zhvillua në Tiranë, më 23 mars 2015.
Delegacioni shqiptar do të mbërrijë në pikën kufitare të Vërmicës në orën 10:00, ku do të pritet nga zv/kryeministri Kujtim Shala. Në orën 11:00, delegacioni shqiptar do të mbërrijë në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda 5 minutave do të bëhet radhitja e kabineteve qeveritare, sikurse edhe pritja e kryeministrave. Në 11:10 do të zhvillohet pritja ceremoniale e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Në mbledhjen e nesërme qeveria kosovare dhe ajo shqiptare pritet të firmosin gjithsej 7 marrëveshje e ku përfshihen marrëveshjet doganore, ato për partneritet kufitar, për reformat në fushën e administratës publike, marrëveshjet për krijimin e qendrës së përbashkët trajnuese, etj.
Energjetika dhe shkëmbimet tregtare mes dy shteteve do të jenë gjithashtu pjesë e diskutmeve në mbledhjen e përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Një tjetër marrëveshje që do të nënshkruhet mes dy palëve është, “Marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.
















