Në një intervistë me Don Jeton Thaqi, gjyqtar kishtar i Ipeshkvisë së Kosovës, mësohen se pse Kisha katolike i shpall dhe i nderon shenjtërit dhe cilat janë procedurat e nevojshme kanonike.
Ai bën të ditur se pos Nënë Terezës, ka edhe shumë shenjtëri të tjera iliro-shqiptare, si Shën Flori dhe Lauri, Shën Astit, Shën Jeronimi, dhe tridhjetetetë martirë të komunizmit që do të shpallen të shenjtë në vjeshtën e sivjetme.
“Termi apo fjala ‘shenjt’ rrjedh prej fjalës semitike qâdes, gjë e shenjtë, shenjtëri, me kuptimin ‘pres, ndaj’ dhe na çon drejt një ideje me ndarjen e të shenjtës prej profanes. Origjinën e kësaj fjale mund ta gjejmë edhe prej fjalës latine sancire, që do të thotë i padhunueshëm, i paprekshëm, i pacenueshëm, i pashkelshëm.
Në këtë drejtim, kjo fjalë qe përdorur edhe prej paganëve, për të cilët ishte e shenjtë, d.m.th. e paprekshme e gjithë ajo që i ishte kushtuar hyjnive. Në krishterim termi ‘i shenjtë’ nuk e humbi domethënien ‘i paprekshëm’, por atij iu shtua edhe një vlerë tjetër, sepse shenjtërit ishin ‘të paprekshëm’ në saje të shëlbimit që vjen prej Krishtit.
Prandaj pyetjes: kush janë shenjtërit, duhet përgjigjur: janë të shëlbuarit, të shpëtuarit. Atëherë parashtrohet një pyetje tjetër: pse kisha ngre në piedestalin më të lartë vetëm një numër të kufizuar të shenjtërve, pas një procesi shumë të rreptë, prej të cilit duhet të rezultojë patjetër heroizmi i virtyteve të tyre? Për të kuptuar një gjë të tillë, duhet të ndalemi e të mendojmë mbi atë që Kisha propozon dhe promovon, siç është kulti i shenjtërve, me qëllim që të na tregojë shembuj të jetës së krishterë për t’i ndjekur…”./Zëri






















