Brenda pak orësh u shënuan dy ngjarje shumë të rënda në shkollat shqiptare.
Fillimisht në një shkollë profesionale në Fier, nëndrejtoresha dhunoi drejtoreshën në sy të nxënësve.
Sipas gazetës Shqip, ngjarja ndodhi në shkollën “Petro Sota”.
Nëndrejtoresha J.M ka shkuar në klasën ku ndodhej drejtoresha K.N, 36 vjeç.
Pasi ka debatuar me drejtoreshën, e ka qëlluar me pëllëmbë.
Më pas mësohet se nëndrejtoresha e ka kapur prej flokësh dhe e ka shtyrë drejtoreshën, e cila nuk ka arritur të reagojë fizikisht.
Kanë qenë nxënësit që kanë ndërhyrë për të ndarë sherrin.
Pas largimit të nëndrejtoreshës, drejtoresha ka bërë kallëzim penal.
Ndërkohë ngjarja më e rëndë u shënua në Bulqizë, ku mësuesi 63-vjeçar dhunoi 12 nxënës në gjendje të dehur.
Policia e Dibrës prangosi në kushtet e flagrancës mësuesin e ciklit fillor, Agim Muçën, pasi ka dhunuar 12 nxënës të shkollës, ku katër prej tyre pësuan plagë të rënda dhe njëra prej nxënëseve, vetëm 9 vjeçe, gjendet në spital për shkak të hematomave të shumta në kokë dhe shpatull.
Ngjarja e pazakontë ndodhi në shkollën 9-vjeçare të fshatit Ostren të Bulqizës, në ditën e mësuesit, më 7 mars. Duhet të ishte një datë e veçantë për 63-vjeçarin, por e ka kthyer në terror për nxënësit që mësonte, duke i dhunuar me drutë e sobës dhe stolat e klasës.
Sipas Drejtorisë Arsimore Bulqizë, mësuesi Agim Muça, në gjendje të dehur ka dhunuar disa nxënës, disa prej të cilëve kanë marrë lëndime në trup dhe ndodhen në spitalin rajonal të Dibrës.
“Pas informacioneve të marra se në shkollën ‘Orzhanov’ – Ostren Bulqizë, mësuesi i kësaj shkolle, shtetasi Agim Muça, 63 vjeç, ka ushtruar dhunë ndaj nxënësve të mitur, ku njëra paraqitet me shenja të theksuara dhune në kokë dhe po transportohet në Spitalin e Dibrës, menjëherë forcat policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kryen arrestimin në flagrancë të mësuesit Agim Muça”.
Ky është njoftimi i djeshëm i policisë lokale për këtë çështje. Tashmë ai do të përballet me akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj të miturve dhe shpërdorim detyre.
Policia ka kërkuar që të kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore e fëmijëve të dhunuar, ndërsa në praninë e psikologut atyre do u merret edhe dëshmia.
Mësohet se Muça kishte një eksperiencë pune prej 30 vitesh dhe më parë nuk ka pasur raste të denoncuara për të, por nxënësit tashmë kanë treguar se edhe më parë i ka dhunuar duke u përplasur kokën në bankë, muret e klasës apo goditur me vizore.
Për të “mbuluar” dhunën, mësohet se ai i kërcënonte që të mos tregonin në shtëpi.
Prindërit e fëmijëve kanë reaguar ashpër për këtë çështje, duke dënuar aktin e 63-vjeçarit, që në vend të dijes ai ka “dhuruar” rrahje ekstreme.















