INTERVISTA
Apeli
Duam që vrasja të riklasifikohet dhe të transferohet te Prokuroria e Krimeve të Rënda
Interesimi
Të kishin ardhur e të më sqaronin mua si prind se nuk morën një zog pule, po ishte njeri, djalë nëne
Besimi
Nuk jemi shumë të bindur se Prokuroria dhe Gjykata e Vlorës do ta bëjë këtë gjë, pasi autorët ishin nga andej
Dënimi
Ne do ta ndjekim deri në fund e nuk do të ndalemi derisa autorët të marrin dënimin e merituar
Vrasja e kamerierit
“Autorët na morën në telefon dhe na thanë se e kishin peng. Policia të më sqarojë”
Kanë kaluar dhjetë ditë nga vrasja e tmerrshme e të birit dhe nëna e tij nuk gjen qetësi e prehje. Mes dhimbjes për humbjen e djalit të vetëm, ajo shprehet e indinjuar për heshtjen e strukturave të shtetit dhe indiferencën që ka hasur si prind pasi pësoi humbjen më të madhe, atë të birit të vetëm. Ndërsa dera e familjes Vyshka në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan rri hapur dhe vizitat për ngushëllim nuk mbarojnë, pjesëtarët nuk gjejnë prehje, të shqetësuar se autorët nuk do të marrin dënimin e merituar dhe hetimi i kësaj çështjeje do të manipulohet rrugës. Neglizhencën dhe sorollatjen, ata e kanë hasur që në ditën e parë, kur vdekjen e 26-vjeçarit e mësuan vetëm nëpërmjet televizorit, edhe pse ngatërrimi i moshës i mbante ende me shpresë. Më pas, policia dhe prokuroria u mjaftua me marrjen e një dëshmie dhe nga ajo ditë, askush nuk ka trokitur nga strukturat policore apo të drejtësisë te porta e kësaj familjeje, qoftë edhe për t’i informuar për vazhdimësinë e hetimeve, për të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të lehtësuar shpirtin plagosur të një nëne.
Familja Vyshka është si të gjithë familjet e tjera me një gjendje ekonomike mesatare. Denisi punonte si kamerier pasi nuk kishte mundur të gjente një punë tjetër. Këtë punë ai e bënte mirë dhe ishte i kërkuar nga të gjitha lokalet e Elbasanit. Në jug mund të fitonte pak më shumë para dhe ishte nisur mëngjesin e 1 gushtit drejt Himarës, për të shkuar në lokalin ku do të punonte në Drimadhë. Kontaktet për punën e re i kishte gjetur nëpërmjet një shoku, por vetë nuk i njihte.
Nëna e ka përcjellë në orët e para të mëngjesit dhe gjatë kontakteve telefonike, djali i saj nuk ka shprehur asnjë shqetësim deri natën e ngjarjes, kur familja është telefonuar nga autorët që e kishin marrë peng. Sipas të gjitha të dhënave, telefonata është bërë pasi të riun e kanë keqtrajtuar dhe vrarë dhe e motra e nisur për në Himarë nuk e gjeti më gjallë.
E gjithë kjo ngjarje i ka tronditur thellësisht të afërm, banorë të qytetit të Elbasanit, opinionin publik. Pjesa më e madhe e të rinjve punojnë kamerierë për të siguruar pak para, shprehen të afërm të familjes. “Mund të ketë edhe mosmarrëveshje apo konflikte por do të mjaftonte denoncimi. Nuk mund t’ia marrësh jetën tjetrit në atë mënyrë”. Ndërsa ditët kalojnë, familja Vyshka kërkon që ngjarja të mos harrohet sidomos nga hetuesit.
Nëna e 26-vjeçarit shprehet e indinjuar për mungesën e reagimit të strukturave të shtetit. Në një intervistë për gazetën Shqip, ajo kërkon që çështja të transferohet te Krimet e Rënda pasi në Vlorë mund të manipulohet. Familja Vyshka u kërkon strukturave më të larta t’i japin vëmendje kësaj çështjeje, pasi për mënyrën që kanë përdorur autorët, meritojnë dënim maksimal.
Si e morët vesh vrasjen e djalit?
Isha në shtëpi dhe po shikonim televizor kur pashë me të shkruar ngjarjen. Inicialet korrespondonin, mosha jo. Obobo thashë djali im. Një shpresë e kisha për shkak të moshës që nuk ishte ai. Vajza ishte nisur për në Vlorë. Nga aty i thonin shkoni shihni në Dhërmi. Policia i thoshte të shkonin në Himarë. Vetëm pas ca sorollatjeve u mor vesh dhe e tërhoqëm trupin në morgun e Vlorës.
Humbët djalin e vetëm. A ju erdhi ndonjë nga strukturat e shtetit t’ju njoftonte qoftë për vdekjen, qoftë tani mbrapa për vazhdimin e hetimeve?
Askush. Dua të bëj apel për një shtet që nuk është interesuar. Për një ministër që nuk interesohet se si vritet një i ri në lule të moshës së tij. Të kishin ardhur e të më sqaronin mua si prind se nuk morën një zog pule që e hodhën atje matanë, po ishte njeri. Ishte djalë nëne. Nuk ka mundësi që askush të mos interesohet, të na pyesë ne si familje. Nuk më ka ardhur një njeri në derë. Shefi i policisë të vinte që të më pyesë, të më sqarojë edhe mua si nënë. Edhe kufomën e tërhoqëm vetë. Shkuam në Policinë e Elbasanit dhe na thanë nuk dimë gjë.
Si e kishte siguruar punën djali?
Më vjen në shtëpi e më thotë se kishte gjetur punë. Kam gjetur punë në Dhërmi më tha. Nuk e di si e gjeti. Dikush i njihte nga Elbasani ata të lokalit dhe nëpërmjet atij. Punoi 10 ditë. Në datë 13 do të kthehej se do më ikte vajza. Pesë ditë para se të ndodhte folëm në telefon dhe më tha – mos u mërzit se jam mirë. Nuk më shfaqi asnjë shqetësim. Kisha djalë të besueshëm. Të gjithë këtu e njohin, edhe pronarët e lokaleve.
Morët një telefonatë nga Dhërmiu atë mëngjes?
Na morën në telefon dhe na thanë që e kishin peng. Ne shkuam e bëmë denoncim në Policinë e Elbasanit për pengmarrje se na thanë që e kemi marrë peng për këtë gjë. Na thanë – hajdeni urgjent e shikojeni në sy. Në orën 8:00 mëngjesit na kanë marrë në telefon. Nuk e di pse e bënë këtë gjë kur gjithçka kishte ndodhur.
Çfarë kërkoni si familje dhe kujt i drejtoheni?
Ne u drejtohemi të gjithëve, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm dhe strukturave më të larta të zbardhet deri në fund ngjarja, të mos manipulohet rrugës dhe të tre autorët të marrin dënimin e merituar. Nuk jemi shumë të bindur se Prokuroria dhe Gjykata e Vlorës do ta bëjë këtë gjë pasi autorët ishin nga andej. Duam që të klasifikohet dhe të transferohet te Krimet e Rënda. Ne do ta ndjekim deri në fund e nuk do të ndalemi derisa autorët të marrin dënimin e merituar.
Nëna ka frikë se çështja mund të manipulohet në Policinë apo Prokurorinë e Vlorës
Ajo i kërkon ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm që autorët të marrin dënimin e merituar
Puna
Denisi punonte si kamerier, pasi nuk kishte mundur të gjente një punë tjetër. Në Jug mund të fitonte pak më shumë para dhe ishte nisur mëngjesin e 1 gushtit drejt Himarës
Telefonata
Familja është telefonuar nga autorët natën e ngjarjes që e kishin marrë peng. Telefonata është bërë pasi të riun e kanë keqtrajtuar dhe vrarë dhe e motra e nisur për në Himarë nuk e gjeti më gjallë
Mosmarrëveshja
“Djali mund të ketë pasur edhe mosmarrëveshje apo konflikte me pronarët e lokaleve, por do të mjaftonte denoncimi në polici. Nuk mund t’ia marrësh jetën tjetrit në atë mënyrë”
Sorollatja
Neglizhencën dhe sorollatjen ata e kanë hasur që në ditën e parë kur vdekjen e 26-vjeçarit e mësuan vetëm nëpërmjet televizorit, edhe pse ngatërrimi i moshës i mbante ende me shpresë
Dëshmia
Më pas policia dhe prokuroria u mjaftua me marrjen e një dëshmie dhe nga ajo ditë, askush nuk ka trokitur nga strukturat policore apo të drejtësisë te porta e kësaj familjeje
Raporti
Ekspertiza: Denisi u qëllua me thikë, iu fikën cigare në trup
Kanë zgjatur të paktën tri orë torturat ndaj kamerierit Denis Vyshka. Kjo është zbuluar nga ekspertiza mjekoligjore mbi trupin pajetë të 26-vjeçarit që u torturua deri në vdekje nga pronarët e lokalit ku ai punonte. Dy pronarët Altin Ymeraj dhe Eris Zilfaj më 14 gusht kanë mbledhur gjithë stafin e lokalit, duke njoftuar se mungonte një shumë prej 500 mijë lekësh dhe duke kërkuar përgjegjësit kanë nisur të gjuajnë me një vegël bujqësore disa herë kamerierin, Denis Vyshka. Kështu ka nisur torturimi ndaj 26-vjeçarit, që është zhvendosur në një tjetër kënd të lokalit dhe pjesë e tij është bërë edhe kuzhinieri i lokalit, Miklon Zymeraj. Grupi hetimor ka konstatuar shenja të shumta dhune në gjithë trupin e viktimës, goditje me vegla bujqësore, plagë thike, por edhe shuarje të cigareve në disa pjesë të trupit, ndërsa në qafë kishte dhe shenja të shtrëngimit me litar. Të gjitha këto kanë zgjatur përreth tre orë, derisa 26-vjeçari ndërroi jetë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një prej personave që ushtroi dhunë ndaj kamerierit e ka filmuar gjithë skenën me celular, por kur ka parë se Denis Vyshka ka mbetur i vdekur, e ka fshirë atë. Pritet që ekspertë të bëjnë të mundur rikuperimin e pamjeve, që do të jenë një provë e fortë në duart e grupit hetimor. Gjithsesi të akuzuarit e kanë pranuar autorësinë e krimit dhe ndaj tyre është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkaq Dorina S., pastruesja e lokalit në pronësi të dy autorëve të krimit është marrë në mbrojtje nga policia e Vlorës, pasi është dëshmitare kyçe e torturimit të kamerierit. Ndërsa dy pronarët e lokalit njihen si persona të rrezikshëm në Vlorë dhe me precedentë penalë si trafikantë droge.
Vrasja
Më 14 gusht, dy pronarët Altin Ymeraj dhe Eris Zilfaj, njoftuan stafin se mungonte një shumë prej 500 mijë lekësh. Më pas, masakruan kamerierin, Denisin, duke e lënë të vdekur
Shqip















