Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, po qëndron e izoluar këto ditë në shtëpinë e saj në Londër bashkë me familjen.
Ajo ka qenë gjithmonë në qendër të mediave britanike për aktivitetet e saj muzikore por edhe jetën private, teksa vëmendjen e shtypit së fundmi e ka rrëmbyer edhe nëna e saj, Vera Sahatçiu-Ora.Vera e cila është psikiatre me profesion, këto ditë është rikthyer në vijën e parë të frontit në NHS (Shërbimi i Shëndetit Kombëtar).
Ajo për momentin po shërben si mjeke e përgjitshme në Repartin e Emergjencës në NHS, duke marrë parasysh që reparte të tilla po përballen me një numër të madh rastesh me të infektuarit me coronavirus.
Emisioni “The One Show” që transmetohet në kanalin e famshëm BBC, këtë javë pati protagoniste përmes një lidhje direkte nga shtëpia, Rita Orën, dhe nënën e saj, Verën.
Që të dyja nënë e bijë folën për gjendjen e vështirë këto ditë, teksa në cilësinë e mjekes, nëna e yllit me famë botërore tregoi se sa emergjente është gjendja në NHS.“Tani po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të pandemisë, por unë thjesht përpiqem të përqendrohem dhe padyshim që kam një ekip dhe kolegë dhe pacientë që kujdesem”, tha Vera për BBC.



















