Shqipëria i thotë “po” idesë së terapisë së kurimit së plazmës konvaleshente tek pacientët e infektuar me Covid 19.
Ekipi i ekpsertëve italianë ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë të cilët për 14 ditë do të kryejnë takime e konsulenca me homologët shqiptarë në lidhje me risinë e kurës e cila në Itali ka rezultuar e suksesshme.
Kush janë ekspertët italianë?
Ekipi i ekpsertëve italianë përbëhet nga mjekë e infermierë të shërbimit të urgjencës nga rajoni i Puglias dhe rajoni i Lombardisë si zona që u godit më së shumti nga pandemia e koronavirusit gjatë muajve mars-prill.
Po ashtu në ekip gjendet dhe një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria.
Eksperienca e Italisë
Në muajin maj autoritetet italiane të Institutit të Shëndetit Publik dhe të Agjencisë Kombëtare të Barmave autorizuan nisjen e një studimi kombëtar krahasues për të vlerësuar efikasitetin e terapisë e kurimit me plazma tek pacientët e infektuar nga COVID 19.

Qëllimi ishte krijimi i një metode të standardizuar të terapisë me plazma për pacientë COVID-19. Terapia me plazmën konvaleshente nisi si një terapi e lokalizuar në muajin mars në disa qendra spitalore, në formën e një eksperimenti tek pacientët në gjendje mjaft të rënduar shëndetësore.
Ajo u përdor fillimisht tek 52 të sëmurë me Covid 19 në spitalin e Mantovës e Pavias. Mes tyre dhe një grua shtatzënë e cila është shëruar falë injektimit të plazma terapisë.
Çfarë është plazma konvaleshente?
Përdorimi i plazmës konvaleshente për trajtimin e pacientëve me COVID-19 është mjaft i njohur, debatuar dhe eksperimentuar brenda komunitetit shkencor. Kjo terapi mund të përdoret, por pa iluzione të rreme, pasi nuk mund të jetë kura definitive me kosto të ulët dhe gjithmonë e disponueshme për të gjithë.
Përdorimi i plazmës konvaleshente u përdor edhe gjatë epidemisë së Ebolës në 2013, pra nuk kemi të bëjmë me diçka të re, por me një trajtim të eksperimentuar dhe më parë.

Eksperimentet e para janë kryer në Kinë në janar të këtij viti. Në parim, plazma konvaleshente nuk duhet të përdoret në pacientët COVID te të cilët sëmundja zgjat më shumë se tre javë.
Sidoqoftë, në praktikën klinike, terapia e plazmës është treguar efektive në pacientët, sëmundja e të cilëve zgjati më shumë se tre javë dhe testet e të cilëve, nga mostrat e traktit respirator, për acidin nukleik viral ishin vazhdimisht pozitive.
Përdorimi i saj mund të shpejtojë pastrimin nga virusi, të rrisë numrin e limfociteve plazmatike dhe qelizave NK (qelizat natyrore vrasëse), të zvogëlojë nivelin e laktatit plazmatik dhe të përmirësojë funksionimin e veshkave. Kështu që plazma praktikisht mund të përdoret te pacientët COVID-19 të sëmurë rëndë ose kritik, të testuar pozitivisht për infeksionin e traktit respirator dhe pacientët COVID – 19 që nuk janë të sëmurë rëndë, por janë në gjendje të imunosupresuar apo me përparim të shpejtë të sëmundjes së mushkërive./Shqip



















