Shqipe Pantina nga VV-ja, tha se si përgjegjëse për raportin, duhet të jetë dikush nga Ministria e Administratës Publike. Edhe Zafir Berisha i Nismës për Kosovën, pati mendim të njëjtë me Pantinën.
Kurse Pal Lekaj nga AAK-ja u shpreh se diskutimi në mes anëtarëve të Komisionit për raportin pa prezencën e anëtarëve të qeverisë, do të ishte monolog.
Xhevahire Izmaku nga PDK-ja, e cila pas mbledhjes së ardhshme do ta kryesojë këtë komision, propozoi që mbledhja të shtyhet për javën e ardhshme, kur edhe do të ftohet një përfaqësues i ministrisë.
Në mbledhje të Komisionit po ashtu Pantina tha se ka dy çështje për diskutim:
Shqyrtimin e raportit pas monitorimit të ligjit për komunitete i cili sipas saj ka filluar kohë më parë, si dhe që të ftohet ministri i Pushtetit Lokal në një mbledhje të radhës për të diskutuar rreth formimit të një grupi punues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të raportohet edhe për këtë çështje, pasi sipas saj, për këtë temë kanë dëgjuar vetëm nga mediat. Të gjitha këto u shtynë për diskutim në mbledhjen e së hënës.






















