Kriza politike dhe institucionale në Maqedoni, rrezikon të manifestohet edhe me tensione ndëretnike.
Ky rrezik duket duket gjithnjë e më i mundshëm me zgjatjen e krizës, e cila është produkt i përpjekjeve të qarqeve nacionaliste maqedonase që të pengojnë krijimin e një koalicioni të ri qeverisës që do të pranonte kërkesat legjitime të shqiptarëve për përmirësim të pozitës së tyre, të artikuluara përmes deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare.
Në protestat e vazhdueshme të protestës së inicuar nga nisma “Për Maqedoninë unike”, me mbështetjen e VMRO-DMPNE-së, partisë që deri tash ka qenë në pushtet, ka pasur edhe thirrje që shqiptarët të shpërngulen në Shqipëri.
Por, tani janë shfaqur edhe pankarta e parulla me mesazhe të rrezikshme.
Portali INA njofton se një grup kundërshtarësh të platformës politike shqiptare, kryesisht të rinj, kanë mbajtur një pankartë në të cilën shkruante: “Vdekje shqiptarëve”.
Grupi i të rinjëve me pankartën që nxit urrejtje ndërnacionale duket se është fotografuar para fillimit të protestës me moton “Për Maqedoninë unike”, që po mbahet në Shkup, ose para ndonjë ndeshjeje futbolli, ku ka pasur manifestime të ndryshme të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Por, ky nuk është i vetmi rast i shprehjes së urrejtjes kundër shqiptarëve në Maqedoni. Kohët e fundit, në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë, është shkruar parulla “Vdekje shqiptarëve”. Po ashtu, ka pasur parulla e grafite të tjera kundër shqiptarëve.
INA shkruan se ende nuk është raportuar nëse policia ka ndërmarrë masa ndaj grupit që e ka afishuar pankartën “Vdekje shqiptarëve” apo ndaj autorëve të parullave e grafiteve tjera kundër shqiptarëve. (r.m.)























