Nga Gilman Bakalli
Çfarë i bashkon dy studiues që kanë botuar për një publik të gjerë (të paktën më të gjerë se audiencat e tyre universitare) tekste, nga të cilat janë shkëputur respektivisht paragrafët e mëposhtëm:
“Në fokus të vështrimit kritik dhe studimor, pra në të dyja anët verifikuese, të qasjeve përmes metateksteve, gjithnjë në të dyja optikat, jo rastësisht, janë vënë romanet e botuara, në një hark relativisht të shkurtër kohor, prej shkrimtarit XY. Ndalimi, paksa më gjatë, posaçërisht dhe vetëm në këtë aspekt të shkrimeve letrare të tij, lidhet me synimin për të prekur dhe shijuar udhën e bërë, pikërisht në këtë tip të shkrimit letrar nga ana e autorit. Shkrimin e romanit, si tipologji zhanri e prozës së gjatë, midis kaq e kaq llojesh letrare, të cilën duket se e parapëlqen më së shumti. Prandaj gjer më tash, duket se e ka lëvruar pa pika këputjeje, gjatë kësaj periudhe, duhet parë në arritjet dhe sprovat e shenjuara.”
“Dyzimi i qartë strukturor, programor, trajtimi domenial i detyrës së lartë publike, një veprim administrativ i pastandardizuar, një politikë ekonomike dritëshkurtër, mungesa e një kulture shpjeguese ndaj sjelljeve dikasteriale e shpërndarjes së fondeve publike, e shoqëruar me tejkalim të dhunës, rënia e një pjese të qeverisë aktuale nën ndikimin dhe frymëzimin e një grupi krahinor politik, të mbarsur me urrejtje të prejardhur nga Kasta nepotike e Regjimit të Terrorit, dhe në fund, injoranca dhe zbrazëtia e kulturës liberale në qeverisje përballë mungesës totale të një opozite efektive, kanë zhbalancuar funksionimin e demokracisë shqiptare, kanë dëmtuar forcën goditëse ndaj krimit të organizuar, zaptuesve të pronave të mëdha publike, plazheve dhe ujërave.”
E përbashkëta e paragrafëve të mësipërme është stili i njëjtë i të shkruarit, të cilin mund ta quajmë “gjuhë akademeze” ose “akademisht”. Pyetja që lind kur lexon tekste të tilla është e thjeshtë: Si shpjegohet që dy profesorë, (dhe shumë të tjerë si këta) që i janë dedikuar me kohë të plotë transmetimit të dijes, prodhojnë përgjithësisht tekste kaq të errëta, të ngathëta, të drunjta, shkëmbore, të pakëndshme për t’u lexuar dhe të pakuptueshme për publikun?
Përgjigja që i jepet kësaj pyetjeje jashtë rretheve akademike është cinike: të shkruarit e keq është një zgjedhje e qëllimshme. Studiuesit përdorin stil të errët e të ngatërrueshëm për të fshehur faktin se s’kanë asgjë për të thënë. Ato e fshehin trivialen dhe evidenten pas gjuhës së sofistikuar shkencore duke shpresuar ta impresionojnë dhe konfuzojnë audiencën me pallavra teknicienësh. (ka diçka të vërtetë ky stereotip. Megjithëse njoh sa të duash studiues shqiptarë që kanë diçka thelbësore në studimin e tyre dhe aspak nevojë për të impresionuar dikë, e megjithatë e shkruara e tyre ta shpif).
Përgjigja që jepet brenda rretheve akademike është mbrojtëse: vështirësia për ta kuptuar të shkruarit akademik është e pashmangshme për shkak të shkallës së lartë të kompleksitetit dhe abstragimit të çështjeve që janë objekt studimi shkencor. Çdo sferë e shkencës krijon me kalimin e kohës një lloj zhargoni për ta minimizuar nevojën për të përshkruar gjerë e gjatë një dukuri apo koncept. Do të ishte e lodhshme për një ekonomist të përkufizonte termin “transaksion” sa herë që do i duhej ta përdorte. Në këtë kuptim, nuk mund të presim që një diskutim midis profesionistësh të ekonomisë të kuptohet nga amatorët. Ja një fjali e komplikuar, e cila nuk e justifikon aspak kompleksitetin sepse çështja në fjalë është krejt e thjeshtë:
“Përpjekja e panevojshme dhe absurde, në shijen dhe vështrimin tim, gjithnjë në marrëdhënie me letërsinë serioze dhe vlerat letrare, për të futur çdo libër që botohet, sidomos në pragpanaire, në llojin e librave bestseller, pavarësisht se është tejet e vështirë për ta matur edhe vetë nivelin e shitshmërisë, që pa prit dhe pa kujtu, çka është më e debatueshmja, e shpëndërron librin në mall, në mall që vetëm tregtohet sikur gjithçka tjetër, por duke harruar këtu rrafshet e leximit, veçanërisht për letërsinë serioze, e cila zakonisht matet nga niveli i lexueshmërisë dhe i ndikimit mbi atmosferën letrare”.
Përgjigja e tretë që qarkullon në lidhje me pyetjen e mësipërme e sposton fajin tek autoriteti: njerëzit shpesh thonë se akademikët janë në njëfarë mënyre të detyruar të shkruajnë keq, sepse drejtuesit e gazetave dhe të shtëpive botuese universitare këmbëngulin për një gjuhë të rëndë dhe obeze. Nuk e di sa qëndron kjo përgjigje, por jam i prirur të besoj se është një mit.
Në vend që të ngremë gishtin moralizues dhe të kërkojmë se kush e ka fajin le të përpiqemi ta kuptojmë gjuhën akademeze, duke bërë atë që dimë të bëjmë më mirë: të analizojmë dhe të shpjegojmë.
Stilin e të shkruarit akademik mund ta konceptojmë si model të një skenari klasik komunikimi, përmes të cilit autori simulon atë bisedën klasike, gjatë së cilës, në kohë reale, ai jep e merr me bashkëbiseduesin. Situata është e thjeshtë: Autori sheh diçka në realitet, që lexuesi nuk e ka parë akoma dhe e orienton lexuesin drejt saj. Qëllimi i shkrimit është prezantimi, paraqitja, kurse motivi është e vërteta neutrale. Qëllimi arrihet kur koordinohet gjuha me të vërtetën. Prova e suksesit është qartësia dhe thjeshtësia. Shkrimtari dhe lexuesi janë një: lexuesi duhet ta shquajë të vërtetën kur ta shohë, për aq kohë sa ajo i jepet e pamjegulluar dhe e turbull. Akademikët kanë tendencën t’ia turbullojnë lexuesit rrugën drejt së vërtetës që duan të paraqesin. Këtë e arrijnë përmes skemave të gatshme apo strukturave të standardizuara të artikujve shkencorë. Kam parë disa artikuj të botuara në revista të ndryshme shkencore shqiptare, të cilat në dy apo tre faqet e para thjesht merren me qëllimin dhe procesin, dhe me zor hyjnë drejt e në temë. Është një lloj sikur ke vendosur të shkruash një libër kuzhine dhe të fillosh me pyetje filozofike të tipit: a është e mundur të flasësh për gatimin? A ekziston me të vërtetë veza? A është ushqimi diçka për të cilin dija është e mundur? A jemi në gjendje të themi diçka të vërtetë rreth gatimit?
Stili i të shkruarit akademik, që unë e konsideroj të përshtatshëm për një audiencë të gjerë lexuesish, i shmang si të papërshtatshme pyetjet filozofike rreth qëllimit të sipërmarrjes. Nëse i marrim pyetje të tilla, s’do ia dilnim kurrë ta trajtonim subjektin, ndërkohë që qëllimi ekskluziv është trajtimi i problemit. Përveç kësaj, stili akademik që unë aspiroj, shmang simptomat e mëposhtme të konstatuara në një morì shkrimesh nga revistat shkencore shqiptare.
- Metadiskursi
Shembull: “në kapitullin pararendës bëmë një paraqitje të problematikës XY, duke përmbledhur disa nga teoritë kryesore dhe sugjeruam një analizë të re bazuar mbi një teori të filan fistekut. Në vijim artikulli është organizuar si më poshtë. Seksioni i parë jep një përmbledhje të mangësive që paraqesin shkrimet akademike etj., etj., etj..
U kënaqët? Nuk e besoj! Një paragraf i lodhshëm i mbushur me metadiskurs – ligjërim rreth ligjërimit. Shumica e autorëve mendojnë se po u bëjnë favor lexuesve duke i udhëhequr nëpër tekst përmes parathëniesh, përmbledhjesh, ndarjesh, nënndarjesh dhe sinjalesh të tjera strukturore. Në fakt, metadiskursi i shërben më shumë autorit se sa lexuesit, duke qenë se këtij i duhet të sforcohet për të kuptuar shenjat e trafikut që i vendos autori. Ndodh pra, që duke lexuar udhëzimet për të ndjekur rrugën e shkurtër të harxhosh më tepër kohë se sa do kurseje duke mos ndjekur rrugën e gjatë.
Ajo që unë konsideroj si gjuhë të përshtatshme akademike për një audiencë të gjerë lexuesish, është një gjuhë me minimum metadiskursi. Në vend të fjalisë auto-referenciale “Ky kapitull shqyrton faktorët që ndikojnë në stilin e rrëmujshëm të prozës akademike”, unë preferoj pyetjen “pse është kaq i errët stili i shkrimit akademik”? Ose, në vend të fjalisë: “në kapitullin pararendës demonstruam se stili i shkrimit akademik vuan nga disa simptoma specifike”, unë preferoj: “siç e pamë, simptomat nga të cilat vuan shkrimi akademik, ishin…” ose: “pasi kemi parë disa nga mangësitë e shkrimit akademik, le të shohim disa nga shkaqet e kësaj sëmundjeje”.
- Narcizmi profesional
Kush merret me shkencë, jeton në dy universe: në realitetin e gjërave që studion (letërsia e Blushit, retorika e Ramës, fushatat elektorale, inflacioni dhe tregu) dhe në realitetin e profesionit (mësimdhënie, promovime, kërkime shkencore, azhornim i njohurive). Pjesën më të madhe e kalojmë në realitetin e dytë dhe është e kollajshme t’i bësh lëmsh të dy realitetet. Kur kjo ndodh, kemi hapjen tipike të një artikulli shkencor:
“Vitet e fundit një numër gjithnjë e në rritje politologësh ia kanë kushtuar vëmendjen dhe energjitë e tyre fenomenit të votës së bardhë. Në këtë artikull do të recensojmë hulumtimet më të fundit mbi këtë fenomen”.
S’dua të fyej askënd, por pakkujt i intereson se si e kalojnë kohën studiuesit e politikës. Stili i përshtatshëm akademik për audienca jashtë auditorëve, e injoron ndihmën e huazuar dhe sheh direkt çështjen për të cilën paguhet: “Vota e bardhë është kthyer në një fenomen bashkëshoqërues i demokracive në vendet europiane. Cilët janë faktorët që e nxisin këtë fenomen?” Sigurisht që nganjëherë është e domosdoshme të përmbledhësh studimet shkencore mbi një objekt të caktuar, sidomos për studentë të nivelit master apo të doktoraturës. Por autorët rrezikojnë ta humbasin audiencën, për të cilën po shkruajnë, duke përshkruar narcistikisht aktivitetet e komunitetit shkencor dhe jo atë çfarë lexuesi realisht kërkon.
- Ndjesa
Akademikët shpeshherë kanë prirjen që, në shkrimet e tyre, të na tregojnë duke u ankuar se sa tmerrësisht e vështirë, komplekse dhe kontroversale është çështja që po trajtojnë:
“problemi i ndikimit të rrjeteve sociale në vendimmarrjen politike është tejet kompleks. Është e vështirë të japësh përkufizime të sakta në lidhje me konceptin e rrjetit social, konceptin e vendimmarrjes politike dhe të masësh ndikimin e ndërsjellë. Interpretimi i të dhënave eksperimentale është i pasigurt dhe kontroversal. Nevojiten hulumtime të reja.”
Unë besoj se autori ia atribuon lexuesit aq inteligjencë sa të kuptojë se shumë koncepte janë të vështira për t’u përkufizuar dhe se shumë interpretime të dhënash janë kontroversale. Lexuesi kërkon të shohë se si do t’i zgjidhë këto probleme autori.
- Amortizuesit
Shumë akademikë përdorin pa vetëdije aq fjali zbutëse apo amortizuese, sa të bëjnë të mendosh se nuk qëndrojnë realisht pas asaj që kanë shkruar. Në këtë kategori bëjnë pjesë “thuajse”, “me sa duket”, “krahasimisht”, “pjesërisht”, “më së shumti”, “ka të ngjarë”, “relativisht”, “deri në një farë mase”, dhe e famshmja “do thosha që” (a thua se “do thosha që” ka vlerë nëse gjërat do ishin ndryshe, por duke qenë se janë kështu siç janë, s’po i them)
Autorët i përdorin fjalët amortizuese me shpresën e kotë se ato u japin mundësinë të çlirohen nga ndonjë kritikë e mundshme në adresë të tyre. Kur unë i them dikujt që do lë Shkodrën se është qytet me shi, nuk besoj se tjetri do ta interpretojë fjalinë time si pohim se në Shkodër bie 24 orë në ditë shi, gjithë ditën dhe gjithë javën, ngaqë unë nuk e specifikova fjalinë time me “relativisht me shi” apo “me mjaft shi”, apo “disi me shi”.
Sidoqoftë, nuk e përjashtoj mundësinë e përdorimit të fjalëve amortizuese apo relativizuese në studimet shkencore. Për shembull, fjali të tilla si “burrat janë më të mirë se gratë në timon apo në gjeometri” apo “Brokoli parandalon kancerin” nuk përputhen me realitetin. Duke qenë se ekziston rreziku i keqinterpretimit të këtyre fjalive si ligje absolute, një autor i përgjegjshëm mund të shtojë fjalëz të tilla si “mesatarisht”, ose “duke u nisur nga premisa…”
- Metakoncepte dhe nominalizmi
Nuk është e vështirë të lexosh togfjalësha të tillë nëpër shkrimet e shumë revistave shkencore shqiptare: “Në nivel politikëbërjeje”, “në perspektivën e vendimmarrjes ekzekutive”, “t’i qasesh çështjes nga perspektiva e forcimit të ligjit”, “modele implementuese”, etj.
Arsyeja pse metakonceptet dalin kaq lirshëm nga gishtat e profesorëve është e kuptueshme. Profesorët realisht reflektojnë rreth “çështjeve”, “niveleve të analizave” dhe “konteksteve” dhe, për këtë, duhen koncepte. Por, pas njëfarë kohe, konceptet kthehen në metakoncepte dhe metakonceptet kthehen në kontenierë, ku studiuesit rrasin të gjitha idetë e tyre. Dhe vjen momenti kur ato nuk mund të emërtojnë më asgjë me emrin e vet pa i shtuar para fjalët “në terma të”, “modeli i”, “si qasje e” etj., etj. Shto këtu aftësinë e gjuhës për të marrë një folje të shkathët dhe aktive dhe për ta kthyer atë në një emër të pajetë me anë të prapashtesave –im, -ion, -atë. Në këtë mënyrë, në vend që “të shtysh një afat”, ti “implementon shtyrjen e një afati”. Në vend të marrjes së masave kemi formulimin “nisja e implementimit të masave konkrete”.
- Akronimet
Akronimet janë tunduese për shumë studiues, sepse ato u kursejnë atyre disa “të shtypura” në tastierën e kompjuterit sa herë u duhet t’i përdorin. Harrojnë se ato pak sekonda që fitojnë kanë kosto minutat e vjedhura nga lexuesit. Harrojnë se sa herë lexuesi ndesh ato shkurtimet BBA, CDR, FTGJ etj., etj. i duhet të rikthehet në fillim të studimit, aty ku paraqiten kolonat me shkurtimet dhe shpjegimet e tyre përkatëse.
Këtu po e mbyll me paraqitjen e simptomave të gjuhës akademeze duke konstatuar se indiferenca, me të cilën disa studiues i ndajnë frutet e punës së tyre intelektuale i bie ndesh misionit akademik për transmetimin e shkencës. Duke shkruar keq, studiuesit akademikë, jo vetëm humbasin kohën e tyre dhe të lexuesit, por rrezikojnë ta kthejnë shkencën në burim anekdotash e karikaturash komike.
















