Nisur nga situata e jashtëzakonshme të cilën po përjetojmë, FlasShqip po përpiqet të jetë më pranë lexuesve. Duke u përpjekur të shohim e të kërkojmë dobinë në kohë virusi, ne mund të themi që kemi gjetur disa të tilla.
Ja për shembull, para disa ditësh ideuam rubrikën “Receta nga Kanadaja”, ku personazhe të ndryshme të komunitetit shqiptar në Kanada na dërgojnë receta gatimi të një stili unik rrëfimi. Kjo rubrikë ka motivuar komunitetin të ndajë me njëri-tjetrin diçka që është shumë e rëndësishme; dashurinë për jetën.
Më pas prezantuam rubrikën “Fëmijët e Diasporës” duke angazhuar fëmijët që kanë lindur e po rriten në Kanada të tregojnë diçka për veten në një intervistë të formatuar njëlloj për të gjithë. Të tërheqësh vëmëndjen e fëmijëve sot për të shkruar është sfidë, por mesa shoh po pritet me entuziazëm nga prindër dhe fëmijë.
Gjithashtu për fëmijët po publikojmë të plotë romanin “Kacimicrri rreth globit”, nga Bedri Dedja, çdo ditë nga një kapitull të ri. Meqënëse libraritë në Shqipëri preferojnë të mbushin raftet me përkthime të lira, sesa me shkrimtarët që kanë bërë historinë e letërsisë për fëmijë si Bedri Dedja, FlasShqip ua vë në dispozicion falas fëmijëve të lexojnë mirfilli shqip dhe të marrin njëkohësisht dije.
Rubrika tjetër është ajo që në fakt përbën dhe një nga shtyllat e portalit FlasShqip që është “Gjuha shqipe për fëmijë”, sigurisht me fokus fëmijët e diasporës.
Për këtë kërkuam ndihmën e mësuese Danjela Lumanit, e cila u tregua e gatshme të bashkëpunojë. Në emër të FlasShqip e falenderoj pa masë për dashurinë dhe vullnetin e saj të admirueshëm për të zhvilluar shkollën shqipe online.
Ju e dini se prindërit janë ekspertët më të mirë për zhvillimin gjuhësor dhe për mbështetjen gjuhësore të fëmijëve. Prandaj në rubrikën “Gjuha Shqipe për fëmijë me mësuese Danjelën” ju mund të gjeni disa mësime bazë për gjuhën si dhe sugjerime, se si ju mund ta zgjoni tek fëmija juaj dëshirën për gjuhën tonë.
Sigurisht që ju si të rritur e flisni shumë mirë gjuhën e nënës. Po mendoni pak sa mirë do ishte që edhe fëmija juaj ta fliste atë po aq mirë sa ju? Nëse ju flisni me fëmijën tuaj në gjuhën amtare, atë që njihni më mirë, i jepni kështu atij një bazë të sigurtë për mësimin e gjuhëve të tjera.
Një gjuhë amtare e përvetësuar si duhet dhe përvojat e shumëllojshme në të shkruar janë baza më e mirë për të mësuarit e gjuhës së vendit ku jetoni dhe mësimin e leximit në shkollë.
Fëmija juaj e zhvillon gjuhën e tij në bisedë me ju. Nëse ju flisni me të për vëzhgimet e tij, ai e zhvillon kështu leksikun dhe krijon dëshirë për zbulimin e gjërave të reja. Gjatë lojës me fëmijët ju mund të tregoni në gjuhën shqipe histori interesante, të këndoni ose recitoni. Fëmija duke u argëtuar mëson më mirë.
Mos mendoni se fëmijët lodhen duke mësuar dy gjuhë. Nuk është aspak e vërtëtë. Fëmijët mund të mësojnë disa gjuhë njëherësh sipas kontakteve me njerëzit që i flasin ato.
Ja një pjesë e thjeshtë dhe humoristike për t’u mësuar, shkëputur nga poema “Shkolla e pyllit” Bedri Dedja.
Klasa “A” ka abetare,
fillon shkronjat nga e para
me mësues një Ari,
shtatgjatosh edhe të zi
A, a, a,
jam ARIU,
ARRAT
më pëlqejnë mua,
AKULLOREN
nuk e dua!
A, a, a,
B-ë, b-ë. B-ë,
rrini urtë mos bëni zë!
Por për një mësim të specializuar na ndiqni çdo të premte në rubrikën “Gjuha shqipe për fëmijë me mësuese Danjelën”! Sot kemi arritur në mësimin e katërt. Kush nuk e ka filluar nga A, e ka të lehtë të kapë ritmin. Suksese dhe faleminderit!
Me dashuri dhe mirënjohje,
Jeta Dedja
Kryeredaktore
FlasShqip.ca