Në Gjakovë sot do të mbahet një protestë, ku do të kërkohet dorëheqja e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jablanovic, i cili ditë më parë ka ofenduar rënd gjakovarët, duke i quajtur egërsira.
Këshilli organizues i protestave, që kësaj radhe në përbërje është zgjeruar me aktivistë nga shoqëria civile, OJQ-në “Thirrjet e Nënave”, përfaqësuesit e OVL të UÇK -së në Gjakovë, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike që veprojnë në këtë qytet.
Përveç thirrjes për protestë nga ora 14:00, ftojnë qytetarët që nga ora 11:00 të nënshkruajnë dëshminë për kallëzim penal ndaj fyerjeve që ju bëri Jablanovic qytetarëve të Gjakovës. Këshilli i shoqërisë civile ka marrë përsipër përpilimin dhe mbledhjen e intervistave të qytetarëve, të cilët në mënyrë vullnetare do t’i japin ato.
Këshilli punues i shoqërisë civile në Gjakovë, duke u thirrur në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni 147, ka marrë këtë iniciativë për mbledhjen e dëshmive të qytetarëve. Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, në rast të deklaratave publike të cilat nxisin urrejtje, përçarje ose mos durim kombëtar, racor, fetar apo etnik, atëherë bëhet shkelje e Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të saj, në këtë rast të Kodi Penal i Kosovës.
Ndërsa gjatë protestës të së premtes para objektit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Fushë-Kosovë, me kërkesën për shkarkimin e ministrit Aleksandar Jablanovic, janë arrestuar 22 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndërsa një numër i madh i protestuesve kanë marrë lëndime.
Të lënduar pati edhe nga pjesëtarët e policisë që mbronin objektin dhe shpërndanin demonstruesit.
Me pankarta në duar që shkruanin, “Mos fyej nënat tona”, “Qeveri mos fleni”, protestuesit kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkarkimin e ministrit Jablanovic, i cili një javë më parë i kishte quajtur “egërsira” familjarët e të pagjeturve, të cilët po protestonin në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serb për të kremtuar Krishtlindjet Ortodokse.
















