Por duket se vetë partia dhe drejtuesit e saj do të kenë punë me drejtësinë e ligjin. Kjo pasi Ferid Agani i cili thotë se është ende kryetar legjitim i saj, paralajmëron që “puçistët” siç i cilëson ai një pjesë të drejtuesve të degëve të partisë, t’i çojë para gjyqit.
Krejt kjo pasi disa degë të saj janë mbledhur në Kuvend të Jashtëzakonshëm ku edhe zgjodhën Sylejman Çerkezin për kryetar të ri, të cilin nuk e pranon Ferid Agani, raporton lajmi.net. Në fakt, Çerkezi ishte më parë në këtë post.
Por Ferid Agani vazhdon të mos pranojë ndryshimet e bëra nga 17 degë të kësaj partie, duke paralajmëruar edhe hapa ligjorë e përballje me gjyq.
Këtë ai e bazon në mbledhjen e Kryesisë së PD-së e cila një ditë pas mbledhjes së kryesisë tjetër të PD-së, i dha mbështetje Aganit për vazhdim të ushtrimit të detyrës së kryetarit.
“Kryesia e PD-së në mbledhjen e saj të fundit me 29 shtator 2016, e ka bërë të qartë dhe publik qëndrimin përkitazi me këtë çështje”, thotë Agani për lajmi.net. Në këtë mbledhje të gjysmës tjetër të degëve të PD-së, Agani u rikonfirmua për kryetar të partisë.
Ferid Agani, deklaron se ai është kryetari i vetëm legjitim i PD-së

Por në anën tjetër, gjysma tjetër e partisë, sot me një komunikatë për media, i bëri thirrje publike Ferid Aganit që të reflektojë në këtë realitet që sipas tyre është i ri brenda PD-së.
“Në emër të 17 degëve të Partisë së Drejtësisë, dhe në emër të 112 delegatëve të rregullt të Kuvendit të PD-së të mbajtur më 28 shtator 2016, ju bëjmë thirrje juve z. Agani që të reflektoni me pranim të këtij realiteti të PD-së, si dhe të lironi zyrat dhe mos të pengoni aktivitetin politik e partiak të udhëheqjes së re të PD-së, e votuar me vullnetin e plotë konform kërkesave të anëtarësisë së gjerë për ndryshim në PD-së”.
Por vetë Agani ka përgjigje për këtë thirrje. “Kryesia e partisë në mbledhjen e 29 shtatorit, tubimin e 28 shtatorit e cilëson si joligjor e jo statutor dhe si përpjekje puçiste të disa prej kryetarëve të degëve ndaj udhëheqjes legjitime të PD-së”, thotë Agani për lajmi.net.
Por në anën tjetër, kryesia tjetër që thonë se përbëhet nga 17 degë e që Agani e cilëson si puçiste, në deklaratën publikë e fton atë të jetë i vetëpërmbajtur karshi akuzave e kërcënimeve mediale.
Sylejman Çerkezi, i cili thotë se nga Kuvendi i jashtëzakonshëm i mbajtur me 28 shtator, tani ai është kryetar legjitim i PD-së

“Akuza që së fundi po i bëni në adresë të udhëheqjes së re të PD-së dhe kryetarëve të degëve, veçanërisht në adresën e Sekretarit të Përgjithshëm z. Fidan Mustafa. Qasja e tillë dëmton imazhin dhe elektoratin e PD-së, edhe ashtu të dëmtuar tejmase nga qasja juaj përjashtuese e seleksionuese”.
Kjo pjesë e PD-së deklaron se këto 17 degë dhe 112 delegatët e Kuvendit nuk e njohin më Ferid Aganin për kryetar të Partisë së Drejtësisë, por vetëm Sylejman Çerkezin dhe kryesinë e re.
“Tashmë ne jemi në proces të certifikimit të Kuvendit nga ana e KQZ-së, ku dje (03.10.2016) dorëzuam të gjitha argumentet për ligjshmërinë e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, andaj ju ftojmë publikisht të pranoni këtë realitet të ri dhe të dëshmoni një vlerë morale politike”.
Në lidhje më këtë çështje, lajmi.net është munduar të marrë një qëndrim zyrtar sot nga KQZ-ja se kur pritet të merret një vendim nga ky institucion lidhur me situatën e krijuar në PD, por kjo ishte e pamundur.
Sidoqoftë, vetë Ferid Agani deklaron se “si edhe deri më tash, PD-ja do të veprojë në përputhje të plotë me vendimet fuqiplota të organeve përkatëse ligjore e gjyqësore”.
“Këto veprime që janë në pajtim me statutin e partisë dhe ligjet përkatëse në fuqi”, thotë Agani për lajmi.net.
Përndryshe telashet më të mëdha në PD kanë filluar në momentin kur kryetari i saj Ferid Agani u detyrua të japë dorëheqje nga posti i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas ngritjes së një aktakuze ndaj tij nga ana e prokurorisë lidhur me atë që njihet si rasti ‘Stenta’.























