Daut Dauti
Duhet t’i shfletoni librat e historisë së një populli nëse dëshironi të njoftoheni me të kaluarën e tij. Por, ekzistojnë mënyra tjera, më të lehta, që të marrim mësim dhe të njoftohemi me të kaluarën e një populli. Dy mënyra të tilla janë arkitektura e vendbanimeve dhe ushqimi i popullit me të cilin dëshirojmë të njoftohemi. Në këtë rast, fjala është për grekët dhe kryeqytetin e tyre, Athinën.
Arkitektura e sotme e Athinës ka për qëllim fshirjen e së kaluarës. Grekëve nuk ju pëlqen e kaluara e tyre katër shekullore otomane. Prandaj, i kanë rrënuar pothuaj të gjitha ndërtesat e këtij stili. Një tentim mashtrimi tjetër i grekëve është ushqimi. Por, ndaj ushqimit grekët nuk janë sjellë sikur ndaj ndërtesave. Ushqimin e kanë bartuar nga e kaluara me plot respekt për te.
Në mënynë e tavernave të njohura e të panjohura të Athinës ofrohen vetëm ushqime ‘tradicionale greke’. Këtë mund ta vërtetoni në secilën tavernë që shkoni. Taverna Bajraktari (ΜΠΑΙΡΑΚΤΑΡΗΣ ΤΑΒΕΡΝΑ) duket se është më e njohura në Athinë. Ajo gjendet në Sheshin Monastiraki dhe udhëhiqet nga e njejta familje, pa ndërprerë, që nga viti 1879. Vizitori ka përshtypjen që edhe interieri nuk ka ndryshuar që nga viti kur është hapur. Muret e tavernës janë të stolisura me fotografi të njerëzve të njohur të jetës kulturore dhe politike të Greqisë që kanë ngrënë aty. Në mesin e tyre e dallova njërin që mu duk se e njihja. E pyeta kamarierin nëse personi ishte Karamanlisi, ish kryetari i Greqisë? ‘Jo’ – më tha kamarieri dhe shtoi me buzëqeshje: ‘është vëllau i tij’.
Psh. ushqimin mund ta filloni me ndonjë supë apo paqë dhe të vazhdoni me qofte, kebap (doner ose shish), pleskavica, suflaki (ražniči), musakë, sarme, dollma, φασόλια (fasule apo pasul) dhe gjellëra tjera të stolisura me taramasallatë. Të gjitha të njohura për ju pasi që i keni shijuar edhe në shtëpitë tuaja nëse jeni nga Ballkani. Pasuli është kokërmadh dhe tërësisht me të njejtën pamje dhe shije që e përgatiste lokja ime e që i thoshte ‘bathë pritke’. Njësoj qëndron puna me një lloj laknuri që i ka tri petë dhe në mes ka lakra të gjelbërta dhe i cili servohet me jogurt. Për ëmbëlsirë, dihet: bakllavë, kadaif, tatli, sutliaq, havëll… Dhe, në fund vjen kafja turke (greke, m’falni) në xhevze. Në meny, të gjitha këto ushqime, sikur edhe emri i tavernës (Bajraktari), janë të regjistruara si specialitete tradicionale greke.
Ndonjë shqiptar këto ushqime do t’i konsideroj si të tijat. Me siguri njësoj do të pretendonin edhe bullgarët, serbët, vllehët … Origjina e këtij ushqimi është diku kah Stambolli në restoranet e të cilit qytet shërbehen të gjitha këto specialitete por në këtë rast të cilësuara si turke. Megjithatë, në Evropë, filohelenët e kanë popullarizuar këtë ushqim, sikur edhe plot gjëra tjera, si specialitete greke. Grekët e kanë përvetësuar ushqimin, sikur edhe shumë gjëra tjera, dhe e ruajnë me xhelozi. Në tërë qendrën e Athinës, me siguri edhe më gjërë, nuk mund të shihni restorane apo kafiteri jogreke. (Unë i pashë vetëm dy: Starbucks dhe Hard Rock Café).
Pa marrë parasyshë origjinën, ky ushqim, askund tjetër nuk është më i shijshëm dhe më atraktiv se në tavernat greke. Grekët gjithësesi janë shembull shkollor që spjegon krijimin e identitetit të ri mbi të vjetrin duke mos i braktisur të gjitha karakteristikat ekzistuese por duke i shpallur si të tyre. Siq thotë populli, grekët ja kanë marrë dorën kësaj pune. Hallall ju qoftë mundi edhepse ‘mashtrues’. Sa më përket mua, këto ushqime mund të quhen me çfarëdo emri: grek, turk, ballkanik … Ky është ushqimi im kurse ΜΠΑΙΡΑΚΤΑΡΗΣ është restorani im i preferuar në të cilin do të ushqehesha tri herë në ditë sikur të ekzistonte mundësia.






















