Ndërron jetë në moshën 80-vjeçare, “Mjeshtri i Madh” Gëzim Kruja. Kohët e fundit ai vuante nga një sëmundje e rëndë teksa kishte humbur edhe zërin.
Gëzim Kruja lindi në Shkodër në vitin 1939. Karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
Ai ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.
Gëzim Kruja ndërroi jetë këtë të diel në banesën e tij në qytetin e Shkodrës.



















