Përpara vizitës së tij në Tiranë, Papa Françesku tha se një nga arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri, veç vlerësimit për bashkëjetesën fetare ishte edhe nderimi për vuajtjet e kishës katolike për shkak të besimit gjatë regjimit komunist. Populli shqiptar ka vuajtur për shkak të ideologjisë së të kaluarës, ka thënë Papa, i cili me ardhjen e tij jo thjesht i përkujton këto vuajtje por sjell ndërmend se çfarë pasojash mund të sjellë një ideologji e caktuar.
Dhe për t’i dhënë kuptim këtij nderimi të veçantë, qeveria shqiptare vendosi mbi bulevard fotot e 40 figurave të njohura të klerikëve shqiptarë që u persekutuan dhe u ekzekutuan për shkak të besimit nga regjimi komunist. Fotot e martirëve, siç po i quajmë, janë vendosur aty si simbol i vuajtjeve të së kaluarës dhe i qëndresës njëkohësisht.
Mirëpo siç ndodh rëndom me qeveritë në Shqipëri, edhe ky akt nderimi tingëllon një hipokrizi e shpifur, ndërsa paralelisht rrugët dhe sheshet e qytetve shqiptare mbushen me fotografi të Enverit, njeriut që urdhëroi personalisht ekzekutimin e klerikëve. Në Pezë, në Gjirokastër ashtu si para do kohësh në Tiranë dhe Përmet, zyrtarë të lartë të qeverisë që po merret me pritjen e Papës, nderojnë njeriun që shkatërroi objektet e kultit dhe eleminoi misionarët e fesë. Nuk mundet që një qeveri nga njëra flirton duke u shkelur syrin nostalgjikëve të Hoxhës dhe nga ana tjetër nderon viktimat e tij. Nëse vërtet nderimi për 40 martirët është i ndjerë, një akt i qartë i dënimit të figurës së Enver Hoxhës do të fliste më shumë se sa fotot e varura mbi bulevard.
Mesa duket kryeministri Rama, nuk ka ndërmend t’ua prishë qejfin një grushti votuesish të tij që vazhdojnë ta shohin si pjesë të partisë së tyre të lavdishme. Por fotot e martirëve dhe ato të Enver Hoxhës nuk mund të rrinë bashkë. Një shartim të tillë të shëmtuar vetëm Edi Rama di ta prodhojë.
















