Ministria e Mjedisit vendosi dje që të prishë kontratën me një firmë që priste pyjet në disa fshatra të qarkut të Vlorës, duke shkaktuar dëme të pariparueshme në pasurinë e fshatrave dhe në mjedis. Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë, pas verifikimit të bërë në terren nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, në qendër dhe nga Inspektorati i Mjedisit në Vlorë, para 7 ditësh, menjëherë pas denoncimit, u pezulluan punimet dhe iu dërgua kërkesa Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Pyjor Vlorë, për të prishur kontratën me subjektin në fjalë.
Dje, Drejtoria e Shërbimit Pyjor në Vlorë njoftoi subjektin “Bushi 2002” për prishjen e kontratës pas njoftimit paraprak që subjekti mori për pezullimin e menjëhershëm të punimeve nga Inspektorati i Mjedisit. Gjithash-tu ministri i Mjedisit, Lefter Koka reagoi menjëherë, duke dërguar urgjentisht grupet e kontrollit, pas denoncimit që u bë në gazetën “Shekulli”.
Sipas investigimit dhe denoncimit të bërë nga autoritetet vendore për dhënien e lejes së shfrytëzimit dhe kontratën e lidhur nga DRSHP-jaVlorë, me subjektin privat “Bushi 2002” sh.p.k. u konstatua se, DRSHPja dega Vlorë, në mënyrë të paligjshme dhe krejt në fshehtësi dhe pa pyetur askënd në datën 25 gusht 2014 i ka miratuar, nëpërmjet një udhëzimi të brendshëm të datës 4 korrik 2014, lejen e shfrytëzimit dhe prerjes së druve në ekonominë pyjore të Gjomollit, fshati Kudhës dhe Kuç, në bashkinë e Himarës.















