Aleanca ushtarake Veri-Perëndimore, NATO, është e gatshme të ndërhyjë në mënyrë operative në Ballkanin Perëndimor kur ka nevojë për të penguar konfliktet ndëretnike dhe për të promovuar siguri e stabilitet, transmeton Koha.net.
Kështu ka shkruar gazeta “Veçernji list” e Zagrebit, duke u thirrur në një dokument sekret të Aleancës ushtarake Veri-Perëndimore.
Ky dokument është miratuar në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme. Në të përshkruhen në mënyrë të detajuar dy lloje kërcënimesh me të cilat ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor: sjellja destabilzuese e Rusisë dhe ekstremizmi në rritje e radikalizimi, si pasojë e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria dhe nga Iraku.
Në pjesën ku flitet për rreziqet, theksohet se rrezik është qasja e Rusisë ndaj popullatës serbe në rajon. Mesazhet ruse e kanë jehonën më të madhe te serbët, thuhet në dokumentin sekret.
NATO po studion shtimin e aktiviteteve ruse në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë sjelljet destabilzuese. Fjala është për kombinimin e mesazheve, ndërtimin e lidhjeve me përfaqësuesit e elitave, investimet në energjetikë dhe në sektorin e medieve.
Rusia ofron ndihmë politike e ekonomike për etnitetin serb në Bosnjë e Hercegovinë për të penguar rrugën evropiane të këtij shteti , theksohet në dokument.
Kryetari i Republikës Serbe, Milorad Dodik, thotë NATO, po rrënon integrime euroatlantike të Bosnjës e Hercegovinës, gjë që vërehet edhe në shpalljen e referendumit të paligjshëm kohë më parë, si edhe në faktin se entiteti tij refuzon të regjistrojë patundshmëritë ushtarake.
Në përfundimet e dokumentit theksohet se NATO i jep përkrahje të plotë rrugës europiane të Maqedonisë dhe të Bosnës e hercegovinës dhe se e përkrah fuqimisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës.
Ky dialog ka efekt pozitiv në stabilitetin rajonal, përfundon NATO, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë e Kosovës është i ndërlidhur me stabilitetin e gjithë rajonit.
Në pjesën për Serbinë theksohet se përkrahje e serbëve për NATO- n është shumë e ulët, gjë që është pasojë e bombardimeve të NATO-s.
Përkundër kësaj, theksohet se NATO e di se ka nevojë për më shumë nxitje të fuqishme më shumë se kurrë për bashkëpunim politik me Serbinë, ndërsa vizita kohë më parë e kryeministrit Vuçiq në selinë e Aleancës përmendet si shembull mbi të cilin duhet ndërtuar zhvillimin e marrëdhënieve.
NATO nuk ka dilema rreth asaj se duhet të investojë përpjekje dhe të përkrahë përmirësimin e marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti është hartuar në fillim të dhjetorit, në kuadër të Samitit të NATO-s të qershorit në Varshavë, formulimet në të janë harmonizuar të gjitha shtetet anëtare, 28 sosh, të NATO-s.






















