Shtëpia botuese “Saras” prezanton nesër, në orën 14:00, në Panairin e Librit, katër botimet e reja: “Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe” nga Alexander Dumas, “Syri i keq” nga Jason Goodwin, “Qyteti bri lumit”, V.S. Naipaul, dhe “Hije mbi liqen” i autorëve Cocco & Magella
V.S. Naipaul, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XXI, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi në vitin 2001, mund të quhet dhe surpriza e këtij panairi. Një prej romaneve më të mirë të 50 viteve të fundit, “Qyteti bri lumit” i cili vijon të shihet si udhëtimi që çdo njeri duhet të bëjë për të gjetur dritën, tashmë mund të lexohet në shqip nën përkthimin e Vladimir Markut, nën siglën e botimeve “Saras”. Libri është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t’u shkolluar e më pas për t’u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Ky libër është një manual për ndryshimin, për atë ndryshim që shpesh dhemb, por që është i domosdoshëm në shumë shoqëri. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardwick.“Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.Ngjarjet zhvillohen në periudhën postkoloniale, në kohën e pavarësisë.

Europianët janë shpërngulur nga aty, ose janë detyruar të shpërngulen, dhe skena është kaotike, gjithë dhunë, me luftime mes fiseve, injorancë e plotë, izolim, varfëri dhe një mungesë përgatitjeje për botën e re, në të cilën ata kanë hyrë, ose pjesërisht e supozuar si një lloj dekorimi. Siguria e verbër e administratës koloniale, me rregullat e saj, komercializimin e resurseve të disponueshme, me bulevardet e saj dhe me shtëpitë e bukura, e klubet për argëtimin e të ardhurve të huaj, çoi në bumin e shumë shteteve, që sapo e kishin fituar pavarësinë. Këtu aktualisht pushteti është në duart e presidentit, një luftëtar fisnor i kërcënuar nga ambiciet e luftëtarëve të fiseve të tjera.Libri është një akuzë për pushtet e dhunshme, përmes një personazhi që nuk nguron të përshkruajë dhe presidentin e vendit të tij. “Te ‘Qyteti bri lumit’ zvarritja, korrupsioni mbytës dhe shkatërrimi që e shoqëron ardhjen në pushtet të forcave fisnore, ose dhe komplotimin e tyre për të marrë pushtetin, pasiguria e zbatimit të marrëveshjeve, pakënaqësia e turmave të vendasve që vuanin për një kohë të gjatë, e që e përhapnin edhe në qytet këtë pakënaqësi: e gjitha kjo është panorama në të cilën zhvillohet romani. Pjesë e tij janë tregtarë indianë dhe pronarë të një biznesi apo të një tjetri, një çift europianësh të bardhë, një prift plak, belg, që ka shumë vite që jeton aty dhe afrikanë të shumtë, në kërkim të mundësive të reja. Romani është një ndërmarrje me disa rreziqe dhe pa rreziqe, të cilit Naipauli, i ka dhënë formën e një vepre të kryer, me një forcë imagjinuese, fort të gjallë”, thotë Elizabeth Hardwick. Përtej letërsisë së tij, e cila vijon të botohet çdo vit në çdo vend të botës, Naipaul është një shkrimtar që tërheq vëmendjen dhe me karakterin e tij. I quajtur “shkrimtari i errësirës”, mediat shohin një anë të errët dhe në raportin që ai ka pasur me të shoqen, me të cilën jetoi 41 vjet, anglezen Patricia Ann Hale, me të cilën u njoh gjatë një vizite në Spanjë në vitin 1952. Ata studiuan bashkë në Oksford dhe u martuan në Londër më 1955. Martesa e tyre zgjati 41 vjet, deri në vdekjen e Pat, ashtu si e thërrisnin miqtë e saj. Bashkëjetesa e tyre nuk ka qenë e lehtë dhe shpesh çifti ka qenë në qendër të medias, pas deklaratave të Naipaul se nuk mund “t’i shmangte dot prostitutat”, apo pas marrëdhënies së gjatë që ai ka pasur në të njëjtën kohë me Margaret Gooding. Ka pasur akuza në media mbi rolin që Naipaul ka pasur mbi vdekjen e Pat, pavarësisht se ajo vuante prej kohësh, pas gjetjes së shënimeve të saj mbi faktin që Naipaul ishte shpesh dhe i dhunshëm. Te “Qyteti bri lumit”, ne kemi pasazhe dhune, në një apartament në Londër, nga një çift dashnorësh, të ndarë mes pasionit dhe së vërtetës… Ndoshta ajo çfarë ka shkruar, forca për të dhënë dhimbjen deri në skajin e saj, e bën këtë autor nga më të rëndësishmit e shekullit XXI, të jetë shpesh dhe në qendër të këtyre akuzave, që mbeten thjesht të tilla.















