Në Britaninë e Madhe jeton një komunitet i konsiderueshëm Shqiptarësh, shumë prej të cilëve janë përshtatur mjaft mirë me jetën në këtë vend.
Shumë prej tyre janë pajisur me dokumente, ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë të jenë në pritje.
Një nga avokatët Shqiptarë që e ushtron aktivitetin në Londër, Naim Hasani, shpjegon për emisionin “Diplomaticus” sesa e vështirë është për një azilkërkues Shqiptar të fitojë leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.
“Lëvizja e Shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe ka nisur që nga lufta e Kosovës, nga fundi i viteve ’90 dhe tani zyrtarisht numërohet një komunitet i madh prej rreth 50 mijë personash nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe viset e tjera Shqiptare” shpjegon avokati Hasani.
Sipas tij, procesi i marrjes së shtetësisë Britanike është një proces që kalon nëpër shumë hapa. “Ka disa mënyra sesi të hysh në sistemin e marrjes së lejes së qëndrimit në Angli siç është azili, martesat, lejet e punës, por sa i përket shqiptarëve, pjesa më e madhe kanë ardhur si azilkërkues në Angli dhe ata që marrin lejen si azilkërkues do të thotë se shteti i tyre nuk i mbron, ose nuk do që t’i mbrojë apo nuk ka mundësi që ta bëjë këtë.
Ata marrin leje qëndrimi pesë vjeçare dhe pas pesë vjetësh aplikojnë për leje të përhershme qëndrimi dhe një ditë bëhen shtetas britanike sipas rregullave dhe dispozitave të ligjit për shtetësinë britanike. Ata që kanë përfituar kanë qenë viktima të gjakmarrjes, prostitucionit dhe trafikimit, fëmijë nën moshën 18 vjeçare etj. Emigrantët ekonomike e kanë të vështirë të pajisen me dokumente” thotë avokati Hasani për News24.
Sipas avokatit Hasani, procesi ligjor i mbrojtjes në Britaninë e Madhe është shumë dashamirës ndaj emigrantëve dhe shumë i pavarur. Sipas tij ministria e brendshme nuk ka asnjë të drejtë dhe asnjë mundësi të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Avokatët caktohen nga shteti nëse personi që kërkon azil plotëson disa kritere bazë. Gjykatat janë shumë të drejta dhe japin dënime të pavarura. “Problemi më i madh është ai i trafikimit të fëmijëve nga Shqipëria.
Statistikat e Ministrisë se Brendshme flasin për rreth 405 fëmijë të cilët kanë ardhur vitin e kaluar nga Shqipëria, të pashoqëruar. Ky është një fenomen mjaft shqetësues për autoritetet britanike”, deklaron ai gjatë intervistës.
Duke u ndalur te problemi i trafikimit të vajzave shqiptare në Angli për qëllime prostitucioni, avokati Hasani shprehet se qeveria britanike e ka marrë me shumë seriozitet dhe ekziston mbrojtja ligjore nëpërmjet konventës ndërkombëtare për refugjatët plus Konventës Europiane kundër Trafikimit.
“Shteti u garanton një mbrojtje viktimave të vërteta të trafikimit, edhe pse shumica e kërkesave refuzohen me arsyetimin se Shqipëria është një vend demokratik, aspirant për në Bashkimin Europian, por gjykatat janë shumë te rezervuara dhe një pjese e femrave të trafikuara kanë marrë leje qëndrimi në Angli”.






















